Më pak se 0.01% të njerëzve që kanë marrë vaksinën e “Pfizerit” për Covid-19, kanë marrë virusin më shumë se një javë pasi që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës, ka thënë një drejtues i kujdesit shëndetësor nga Izraeli të hënën.
Rezultatet preliminare që janë publikuar nga Organizata Shëndetësore në Maccabi, tregojnë se vetëm njëzet qytetarë nga 128,600 që kanë marrë dy dozat të vaksinave, janë infektuar me Covid-19.
Izraeli prin në botë për shpërndarjen e vaksinave, ndërsa më 19 dhjetor kishte filluar vaksinimin me vaksinën e “Pfizerit”.
“Sipas ekspertëve të Maccabit këto janë të dhënat preliminare, por numrat janë shumë inkurajuese”, thuhej në një deklaratë nga Maccabi. “Nga njëzet personat e infektuar, 50% të tyre kanë vuajtur nga sëmundje të tjera kronike. Të gjithë pacientët kishin simptoma si kokë dhimbje, kollë, ligështim dhe lodhje. Asnjë nga ta s’është hospitalizuar”, thuhej në deklaratë.
“Fakti që pacientët e infektuar vijnë nga profile të ndryshme, është në përputhje me rezultatet e ‘Pfizerit’”, ka thënë Anat Ekka Zohar, drejtoreshë e Informimit nga divizioni i shëndetësisë në Maccabi.
Ajo ka thënë se do i monitorojnë nga afër personat e infektuar për të shqyrtuar nëse ata vazhdojnë të vuajnë vetëm nga simptomat të lehta dhe nuk kanë probleme nga virusi.
Nga 9 milionë banorë të Izraelit, më shumë se 2.6 milionë qytetarë kanë marrë dozën e parë të vaksinës ndërsa 1.2 milionë kanë marrë dy doza.
Izraeli ka raportuar 600 mijë persona të infektuar dhe 4 mijë e 478 të vdekur nga koronavirusi.