Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi ka njoftuar se tash e tutje në dokumentet e lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, do të figurojë vetëm emri i Kosovës, kështu duke hiqur atë të Serbisë, raporton Zeri.info.
“Kemi nderin dhe kënaqësinë të ndajmë me ju lajmin e mirë dhe të shumëpritur lidhur me problematikën e kahmotshme të dokumenteve të lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, e cila përmes kanaleve diplomatike, u zgjidh me një epilog pozitiv. Me të filluar detyrën e saj në Suedi, Ambasadorja Geci Sherifi është njoftuar për shqetësimin e shumë qytetarëve që në dokumentet personale si certifikata të lindjes, martesore e të tjera, të lëshuara nga Skatteverket, krahas Kosovës, ju është shënuar edhe Serbia. Kësaj çështjeje ajo i ka dhënë prioritet dhe me një përkushtim serioz, Ambasada ka filluar trajtimin e saj në mënyrë konsistente. Pas një sërë diskutimesh tejet konstruktive me Ministrinë e Jashtme të Suedisë, çështja në fjalë është trajtuar nga Skatteverket dhe është zgjidhur me sukses”, thuhet në njoftimin e kësaj Ambasade.
Tash e tutje, në dokumentet tuaja do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë:
• Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë,
• Kur një individ lëviz në Suedi nga Kosova, Agjencia e Taksave do të regjistrojë shtetësinë bazuar në pasaportën e individit ose dokumenteve nga Agjencia e Migracionit, për shembull uppehållstillståndkort
• Individët që janë të regjistruar si shtetas kosovarë dhe serbë mund të kërkojnë heqjen e regjistrimit të shtetësisë serbe. Agjencia e Taksave do të vërtetojë kërkesën bazuar në dokumentet e paraqitura nga individi, informacionin në dispozicion kur individi ka ardhur në Suedi dhe rrethana të tjera të ndërlidhura me rastin përkatës.