Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë nisur deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, deklaratat përmbyllëse do të mbahen më dhjetë, njëmbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë shtator, duke filluar nga ora nëntë e tridhjetë.

Me deklaratat përfundimtare përmbyllet paraqitja e argumenteve të palëve në këtë proces gjyqësor, para se gjykatësi të marrë vendimin për çështjen.

Sipas aktakuzës së zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale për të cilat akuzohen pesë të pandehurit lidhen me procese zyrtare të Dhomave të Specializuara, përfshirë hetimet e Prokurorisë së Specializuar.

Në aktakuzë pretendohet se, së paku ndërmjet dymbëdhjetë prillit dhe dy nëntorit të vitit dymijë e njëzet e tre, Thaçi u zbuloi të tjerëve informacione të fshehta, me të cilat ishte njohur gjatë gjykimit të tij.

Prokuroria pretendon se Thaçi, së bashku me Fazliun, Smakajn, Kilajn dhe Kuçin, bashkërenduan veprimet për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”.

Deklaratat përfundimtare do të vazhdojnë edhe të premten dhe të hënën, ndërsa seancat transmetohen për publikun me dyzet e pesë minuta vonesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts