Pas reshjeve të dendura dhe stuhisë që ka përfshirë Kosovën, ekipet e mirëmbajtjes kanë nisur ndërhyrjet në terren për të larguar pasojat e motit të lig.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se në hyrje të Shtërpcës, në rrugën rajonale R115, erërat e forta kanë rrëzuar drunj, duke shkaktuar dëme edhe në disa automjete.
Sipas ministrisë, ekipet kanë intervenuar menjëherë për largimin e drunjve dhe pastrimin e rrugës, e cila tashmë është liruar dhe është e qarkullueshme.
Ministria ka bërë të ditur se ekipet mbeten në gjendje gatishmërie dhe po bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës së krijuar nga stuhia.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të shmangin udhëtimet e panevojshme gjatë reshjeve të dendura apo stuhive dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike.




















