OpenAI, kompania pas ChatGPT, planifikon që vitin e ardhshëm të nisë prodhimin e çipit të vet të inteligjencës artificiale, një hap që synon të përballojë kërkesën e lartë për ‘compute power’ dhe të ulë varësinë nga gjiganti i çipeve, Nvidia.
Sipas Financial Times, çipi, i dizajnuar në bashkëpunim me gjigantin amerikan të gjysmëpërçuesve Broadcom, pritet të shpërndahet vitin e ardhshëm.
Administratori i Përgjithshëm i Broadcom, Hock Tan, ka bërë të ditur së fundmi për një klient të ri që ka premtuar porosi prej 10 miliardë dollarësh. Lajmi ka nxitur rritje prej 9.4% të aksioneve të Broadcom, duke e çuar kapitalizimin e tregut të kompanisë në 1.6 trilion dollarë.
Ky lëvizje e OpenAI ndjek strategjinë e gjigantëve të tjerë teknologjikë, si Google, Amazon dhe Meta, të cilët kanë krijuar çipat e tyre të specializuar për ngarkesat e AI. Industria ka parë një kërkesë të jashtëzakonshme për fuqinë kompjuterike të nevojshme për trajtimin dhe ekzekutimin e modeleve të AI.
Sipas FT, OpenAI planifikon të përdorë çipin për përdorim të brendshëm dhe nuk ka plane për t’i shitur tek klientët e jashtëm. Bashkëpunimi i parë me Broadcom ishte njoftuar vitin e kaluar, por afati për prodhimin masiv kishte qenë i paqartë deri tani.