Kompania OpenAI ka prezantuar një mjet të ri brenda platformës ChatGPT me emrin “Agjenti”, i cili u mundëson përdoruesve që inteligjenca artificiale të kryejë detyra komplekse në mënyrë plotësisht të pavarur.
Kjo veçori e re është krijuar për t’i lehtësuar përdoruesit në përditshmëri, duke përdorur një kompjuter virtual për të kryer veprime që zakonisht do të kërkonin orë të tëra pune manuale.
Agjenti i OpenAI mund të planifikojë një ngjarje të tërë, si për shembull një dasmë, duke përfshirë gjetjen e lokacionit, parashikimin e motit, sugjerime për dhurata dhe madje edhe rezervime; mund të krijojë raporte biznesi, tabela Excel dhe prezantime PowerPoint pa ndihmën e përdoruesit; mund të përdorë mjete si llogaritë Google, kalendarin, emailin, madje edhe të programojë dhe testojë aplikacione.
Bëhet fjalë për një hap të madh teknologjik drejt asistentëve autonomë me inteligjencë artificiale, të cilët mund të përfundojnë detyra shumë-hapëshe pa ndërhyrje njerëzore.
OpenAI thekson se siguria e përdoruesit është prioritet. Agjenti funksionon në një mjedis të izoluar, nuk ka qasje në internet apo në kujtesën e përdoruesit pa leje, dhe çdo veprim i rëndësishëm – si dërgimi i një emaili apo ndërveprimi me një aplikacion të jashtëm – kërkon konfirmim të qartë nga përdoruesi.
Gjithashtu, transaksionet financiare janë të pamundura dhe qasja në të dhënat e përdoruesit është e kontrolluar rreptësisht.
Funksioni aktualisht është në dispozicion për përdoruesit që kanë versione të paguara të ChatGPT, duke përfshirë abonimet Pro, Team dhe Plus. Përdoruesit nga Bashkimi Evropian, janë ende në pritje të një njoftimi zyrtar për datën e prezantimit të kësaj veçorie.
Përdoruesit kanë një numër të kufizuar detyrash mujore, varësisht nga niveli i abonimit, dhe për detyra më komplekse, agjentit mund t’i duhen deri në 30 minuta për përfundim.
Edhe pse kjo veçori ende konsiderohet eksperimentale, shumë e shohin atë si bazën e asistentëve të ardhshëm digjitalë personalë që do të automatizojnë plotësisht detyrat e përditshme të përdoruesve.