Pesë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni policor që po zhvillohet lidhur me hetimet për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni po realizohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Gjatë operacionit janë ekzekutuar urdhër-kontrolle në disa lokacione, ndërsa si rezultat janë arrestuar pesë persona.
Autoritetet kanë bërë të ditur se detaje shtesë për operacionin do të prezantohen në një konferencë për media, e cila do të mbahet nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës.
Rasti “Reçaku II” lidhet me hetime për krime lufte, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë ende informacione të hollësishme për identitetin e të arrestuarve apo veprat konkrete për të cilat dyshohen.
Më shumë detaje pritet të bëhen publike pas konferencës së paralajmëruar nga autoritetet.



















