Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për Euronews gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, ku mori pjesë në samitin e sotëm BE-Ballkani Perëndimor.
Ajo tha se ky është një proces për të cilin kanë punuar për një kohë shumë të gjatë.
“Praktikisht kemi aplikuar vetëm disa vite më parë, shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të Këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si identitet, si shtet, si komb, ne kemi kontribuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian për shekuj me radhë. Dhe kështu besojmë fuqishëm se, ndonëse është një proces shumë kompleks, nëse do të përdorej kriteri i bazuar në meritë, Kosova në fakt do të kishte qenë një nga pararendëset deri tani”, tha ajo në intervistë për Euronews.























