Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar përmes një statusi në Facebook se nga dita e nesërme do të rifillojnë punimet në kantierin e Aeroportit të Vlorës.

Pacolli bëri të ditur se MABCO, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve të saj, do t’i rikthehet punimeve në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë, vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s të datës 18 qershor 2026, si dhe kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë.

Sipas tij, ky vendim është në përputhje edhe me qëndrimin e shprehur publikisht nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se Aeroporti i Vlorës nuk duhet të bjerë pre e interesave të ngushta apo veprimeve të paligjshme të askujt, por të përfundojë sa më parë dhe të hapet për operim.

Në postimin e tij, Pacolli ka pretenduar se punimet në aeroport janë penguar për disa muaj nga persona që, sipas tij, kanë vepruar pa bazë ligjore dhe pa kompetenca përkatëse.

Ai ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe është ndërprerë aktiviteti në kantier dhe janë sekuestruar në mënyrë arbitrare pajisje, mjete pune dhe makineri private në pronësi të nënkontraktorëve.

“Rifillimi i punimeve shënon rikthimin e ligjshmërisë dhe respektimin e vendimeve të institucioneve juridike dhe atyre kompetente”, ka shkruar Pacolli.

Ai theksoi se vazhdimi i punimeve do t’i hapë rrugë përfundimit të njërit prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri.

Në fund të reagimit të tij, Pacolli kërkoi drejtësi, transparencë dhe legjitimitet, duke shtuar se MABCO do të vazhdojë të kërkojë mbështetjen konstruktive të institucioneve dhe të të gjithë akterëve relevantë, në mënyrë që Aeroporti i Vlorës të hapet sa më shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts