Selena Gomez është paditur nga investitorë që e akuzojnë për mashtrim dhe për mos-mbajtjen e angazhimeve të marra për zhvillimin e një biznesi në fushën e shëndetit mendor. Ata kërkojnë rikthimin e rreth 1.2 milionë dollarëve të investuar, si edhe dëmshpërblim dhe shpenzimet ligjore.
Këngëtarja dhe aktorja amerikane Selena Gomez është paditur për mashtrim nga investitorë të kompanisë së saj për shëndetin mendor, Wondermind Global, të cilët pretendojnë se ajo nuk përmbushi detyrimet për ndërtimin dhe promovimin e biznesit.
Padia është depozituar në Gjykatën Federale të Delaware, ndërsa investitorët thonë se kanë vendosur afro 1.2 milionë dollarë në projektin e lançuar në vitin 2021.
Sipas dokumenteve gjyqësore, atyre u ishte premtuar se Gomez do të kishte një rol aktiv në zhvillimin e kompanisë, veçanërisht në marketing, duke përdorur edhe ndikimin e saj të madh në rrjetet sociale për të promovuar platformën.
Investitorët pretendojnë se këto angazhime nuk u realizuan. Mes projekteve që sipas tyre mbetën vetëm në letër ishte edhe krijimi i një aplikacioni për telefonat celularë.
Në padi thuhet gjithashtu se Wondermind u përball me probleme të forta financiare dhe operacionale, përfshirë vështirësi në pagesën në kohë të punonjësve dhe furnitorëve.
Kompania ishte krijuar me synimin për të ofruar përmbajtje dhe produkte të fokusuara te mirëqenia dhe shëndeti mendor. Në vitin 2022, Wondermind kishte siguruar disa milionë dollarë financime dhe ishte vlerësuar me dhjetëra milionë dollarë.
Paditësit thonë se nuk ishin në dijeni të problemeve të kompanisë deri në shtator të vitit 2025, kur një investigim mediatik publikoi detaje mbi situatën e brendshme të saj.
Tashmë ata kërkojnë kthimin e investimeve, dëmshpërblim dhe mbulimin e shpenzimeve ligjore.
Përfaqësuesit e Selena Gomez nuk kanë dhënë ende një reagim publik për padinë. Akuzat ndaj saj mbeten pretendime civile dhe duhet të provohen në gjykatë.




















