Të enjten e ardhshme pritet që të mblidhet Kuvendi i Kosovës për të diskutuar për Projektligjin për Trustin.
E para kësaj seance Qeveria e Kosovës, do të përballet edhe më një protestë.
Sindikata e punëtorëve të KEK-ut, do të protestoj për të kërkuar tërheqjen e Trustit.
Kryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica tha se ende nuk kanë vendosur se kur do të mbahet protesta.
“Protesta do të mbahet para seancës, por nuk kemi vendosur ende çfarë dite dhe çfarë ore. Kemi paralajmëruar protestë për tërheqjen e një pjese të kursimeve pensionale për arsye se mesa e kemi pa Qeveria është kundër saj dhe parlamenti ka seancë të enjten”, tha ai për Front Online.
Por, përveç kësaj ata në protestë do të dalin edhe me një ide tjetër për Trustin.
“Është në interes tonin që të propozojmë edhe një ide përveç asaj që është e plasume në Parlament pasi që kemi mundësi që mjetet e trustit përveç të tërhiqen për këtë kohë të vështirë ka mundësi që një pjesë të shkoj edhe në fondin pensional që t’iu llogaritet të gjithë punëtorëve stazhi i punës edhe pas luftës, dhe të shfrytëzohen këto mjete në këtë formë dhe jo në formën qysh janë duke u shfrytëzuar përmes tërheqjes së trustit”, tha tutje ai për Front Online.
Llumnica foli edhe për problemet me të cilat përballen punëtorët e KEK-ut.
Ai tha se punëtorët përballen me mungesë të pajisjeve mbrojtëse e edhe paga të vogla në krahasim me rrezikun që kanë gjatë punës.
“Ne kemi sëmundjet permanente dhe kemi 35 punëtorë të vdekur vetëm në 2021, kushtet e punës janë në gjendje jo të mirë, për arsyeje se nuk kemi pas pajisje mbrojtjes, pagat janë të vogla në krahasim me rrezikun dhe dëmtimin e shëndetit dhe marrëveshjen kolektive në nivel të përgjithshëm dhe në nivel të ndërmarrjes, vetëm KEK nuk e ka një marrëveshje të tillë, tha tutje ai.
Kryetari i kësaj sindikate, tutje tha se kjo ndërmarrje ka disa vite që nuk e respekton ligjin për t’i paguar punëtorët të cilët punojnë në vikend.