Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se disa hapësira publike do të jenë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, për parkim veturash.
Bëhet fjalë për ofrimin e parkingjeve në oborret e disa shkollave, me qëllim që të lehtësohet komunikacioni
“Ju njoftoj se kam marrë vendim për lejimin e shfrytëzimit të parkingjeve në shkollat IAAP “Isa Boletini”, SHFMU “Enver Maloku”, SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova”, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” dhe IAAP “Fan S. Noli”, për të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës.
Ky vendim është marrë me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të automjeteve dhe krijimit të hapësirave shtesë për parkim, duke kontribuar në një menaxhim më efikas të lëvizjes në qytet gjatë periudhës që bashkatdhetarët tanë do të jenë për pushime në vendlindje” njoftoi Bulliqi.
Një vendim të njëjtë e mori edhe kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tani që fluksi i veturave rritet me ardhjen e mërgatës.




















