Anija turistike Scarlet Lady mbërriti të premten në mëngjes në portin e Soudës në Hania të Kretës, pasi u detyrua të ndryshonte itinerarin e saj për shkak se Turqia dhe Egjipti nuk i lejuan hyrjen.

Vendimi i dy vendeve lidhet me faktin se bëhet fjalë për një kroçerë tematike të organizuar nga kompania amerikane Atlantis Events, e cila u drejtohet kryesisht udhëtarëve të komunitetit LGBTQ+.

Pas miratimit të Ministrisë greke të Transportit Detar dhe në bashkëpunim me Autoritetin Portual të Hanias, anija u ankorua në Souda, ku do të qëndrojë deri në orën 17:00. Më pas do të vazhdojë udhëtimin drejt Malit të Zi.

Në bord ndodhen 1.860 pasagjerë – 1.832 burra dhe 28 gra – si dhe 1.139 anëtarë të ekuipazhit. Pas ankorimit, pasagjerët zbritën në tokë dhe u nisën me autobusë privatë për të vizituar Haninë, ndërsa disa prej tyre kanë planifikuar edhe ekskursione në Rethimno dhe Iraklio.

Anija turistike ishte nisur nga Athina dhe fillimisht parashikonte ndalesa në Kuşadası dhe Stamboll, por autoritetet turke ndaluan hyrjen e saj duke argumentuar se aktiviteti nuk ishte në përputhje me “vlerat morale” dhe “strukturën shoqërore” të vendit. Pak ditë më vonë edhe Egjipti anuloi ndalesën e planifikuar në Aleksandri, pa dhënë shpjegime të hollësishme, duke detyruar organizatorët të kërkonin një port alternativ.

Sipas drejtuesit të Atlantis Events, Rich Campbell, kjo është hera e parë në 36 vjet që një udhëtim i kompanisë ndalohet për shkak të identitetit të pasagjerëve. Ai theksoi se kroçera ka vizituar më parë si Turqinë ashtu edhe Egjiptin pa asnjë problem dhe se udhëtimi ka karakter ekskluzivisht turistik.

Në bord ndodhet edhe aktorja e njohur e Broadway-t, Patti LuPone e cila reagoi publikisht duke e cilësuar vendimin diskriminues dhe shprehu mbështetjen e saj për pasagjerët .

Për qytetin e Kretës , Hania, mbërritja e Scarlet Lady përbën një përfitim të papritur turistik, pasi mijëra vizitorë do të kalojnë disa orë në qytet, përpara se anija të vazhdojë itinerarin e saj drejt Malit të Zi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts