Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, prioritetet organizative si dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme.
Sipas një njoftimi, në mbledhje është theksuar se PDK po hyn në një fazë të rëndësishme të konsolidimit organizativ përmes zgjedhjeve të brendshme, të cilat do të zhvillohen në përputhje me Statutin e partisë dhe mbi parimet e demokracisë së brendshme, transparencës, garës së ndershme dhe respektimit të vullnetit të anëtarësisë.
“Kryesia vlerësoi se ky proces zgjedhor përbën një mundësi të rëndësishme për fuqizimin e strukturave, përfshirjen e energjive të reja dhe ndërtimin e një PDK-je më të fortë, më të bashkuar dhe më të përgatitur për sfidat politike dhe përgjegjësitë që e presin Kosovën”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Kryesia ka diskutuar edhe për zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur pritjen që vendimi të jetë lirues për ish-krerët e UÇK-së.
Kryesia ka ritheksuar se, pavarësisht sfidave politike, PDK ka ruajtur unitetin, organizimin dhe pozitën si partia kryesore opozitare në vend, duke mbetur forca me numrin më të madh të deputetëve në opozitë.
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar të respektojë vullnetin e anëtarësisë, të forcojë demokracinë e brendshme dhe të vazhdojë angazhimin për një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe të integruar në institucionet euroatlantike.




















