Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përmes një letre drejtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, i kanë kërkuar sërish atij që të thërrasë vazhdimin e seancës për nesër, më 22 gusht 2026, në orën 11:00.
Në letrën e PDK-së thuhet se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe mosrespektimit të akteve të Gjykatës Kushtetuese.
“Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë. Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij.”






















