Bashmir Xhemaj i PDK’së, i cili vjen nga qyteti i Prizrenit, ka reaguar në lidhje me shtatoren e Gjergj Kastriotit, që Komuna e Prizrneit ka përuruar sot.
Xhemaj ka thënë se kjo shtatore, e shëmtuar dhe në disproporcion të plotë fizik, nuk frymëzon e as nuk trimëron askënd. Në fakt, sipas tij, kjo shtatore bën me turp të gjithë shqiptarët, e posaçërisht ata që vijmë nga ky qytet.
Me këtë rast, ai u ka bërë thirrje kuvendit komunal që sa më parë ta përmirësojnë këtë shtrembërim të figurës së madhe të Gjergj Kastriotit, dhe historisë së lavidshme shqiptare.
Lexoni statusin e plotë të Bashmir Xhemajt:
Skënderbeu nuk e meritoi këtë fyerje nga Komuna e Prizrenit me 28 nëntor
Gjergj Kastrioti “Skënderbeu”, është prej heronjve të parë shqiptarë, prijësve, që për 500 vjet mbajti gjallë idenë e luftës për liri, bashkimit për fitore, e idealit për shtet.
Padyshim, ai ishte edhe prej inspiruesve të formacionit më të suksesshëm ushtarak ndër shqiptarë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkaq, edhe në librat e historisë, por edhe në dhe tregimet e legjendat me të cilat jemi rritur mbi figurën e tij, Skënderbeu përshkruhet si një burrë shtatlartë që, edhe vetëm nga pamja, frymëzonte e trimëronte luftëtarët e tij.
Por, si duket Komuna e Prizrenit, me në krye Mytaher Haskukën, kanë në mendje dhe njohin një tjetër Skënderbe?! Shtatorja e Skënderbeut që Komuna e Prizrenit përuroi sot, më e pakta është fyerje për figurën e tij, e më së shumti, është shkelje mbi historinë dhe idenë e secilit shqiptar për heroin tonë.
Ajo nuk frymëzon e as nuk trimëron askënd. Në fakt, kjo shtatore na bën me turp të gjithë shqiptarëve, e posaçërisht ne që vijmë nga ky qytet.
Kjo shtatore, pa kurrfarë vlere artistike dhe në disproporcion të plotë fizik, nuk i bën nder Przirenit. Sikur të mos mjaftonte, komuna ka përzgjedhur një vend për figurën e Gjergjit që nuk lartëson atë, por, dinakërisht, i humbë atij vlerën dhe pozicionin që ka në zemrat dhe historinë tonë.
Prandaj, unë sonte po bëjë një kërkesë publike për kuvendarët e qytetit tonë historik, që sa më parë ta adresojnë këtë turp që iu Gjergj Kastriotit, e përmes tij të gjithë historisë tonë të lavdishme shqiptare.
Nuk është vonë. Gabimi u bë, por më gabim do të ishte po të mbyllnim sytë ndaj këtij turpi. Prandaj, qysh në seancën e radhës, duhet të korrigjohet ky shtrembërim i shëmtuar i Gjergjit të madh.
Skënderbeu nuk e meritoi këtë fyerje me 28 nëntor, aq më pak në Prizren.