Vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve deri në 100 euro, po konsiderohet lëmoshë nga Shoqata e Pensionistëve të Prishtinës dhe nga vetë pensionistët.
Kryetari i kësaj shoqate, Asllan Asllani, për emisionin “Sot” të KTV-së, ka thënë se rritja e pensioneve duhet të bëhet në bazë ligjore, të ketë ligj sistematik në mënyrë që të krijohet fondi pensional dhe ky fond t’i ketë burimet e veta.
Duke e quajtur mashtrim këtë vendim, Asllani thotë se 100 euro nuk janë të mjaftueshme për shpenzimet që kanë pensionistët për një muaj, e sidomos tani kur ka rritje të çmimeve.
“Rritjen e pensioneve duhet bërë në bazë ligjore, duhet të ketë ligj sistematik për të krijuar fondin pensional dhe t’i ketë burimet e veta ky fond. Në këtë mënyrë se si po ndahet buxhetin me fond të përbashkët, këto nuk janë pensione, këto janë lëmoshë, ky pension është lëmoshë. Nuk na del as për ilaçe, as për ta paguar ujin, rrymën, është mizerje për 20 vjet e më tepër të mos jetë mundësia të sistemohet një ligj për pensione kjo është marri dhe e pafalshme. Na kanë harruar. Social s’ka, ligj sistemor nuk ka, burime të sakta prej nga vjen pensioni nuk ka, e gjitha është ad-hoc. Nuk janë asgjë 100 euro, mashtrim është, po t’i japë 100 euro sikur t’ia jepje një fëmije një bonbon”, ka thënë Asllani. “Për këtë vendim secili e ka mendim e vetë, asnjëri prej këtyre pensionistëve nuk është i kënaqur me këtë pension, gjeje një që thotë se ky pension është i mjaftueshëm dhe mund të jetojë me të? Asnjëri. Nuk munden sepse edhe çmimet po rriten. Me ligj e kanë që çdo dy vjet ta përcjellin inflacionin, as atë nuk po e bëjnë”, theksoi më tej ai duke shtuar se përgjatë viteve pensionet vazhdimisht kanë qenë lëmoshë. “Që nga koha e EULEX-it hajgare është bërë me pensionistë”.
Sipas tij, një pension që mund t’i mbulojë shpenzimet mujore të një pensionisti do të duhej të ishte rreth 500 euro.
“Një pension sot duhet të jetë rreth 450-500 euro për të jetuar si njeri, për të pasur mundësi që të paguhen ilaçet, rrymën, ujin, ushqimin, me këto që jemi duke i marrë pak janë”, tha ai.
Edhe pensionistët që ishin të pranishëm në këtë qendër, nuk u ndanë të kënaqur me vendimin e fundit të Qeverisë. Ata thonë se nën 200 apo 300 euro nuk duhet të ketë pensione, pasi rritja e çmimeve po ndikon edhe në jetesën që e bëjnë ata.
“Ky vendim është vetëm lëmoshë. Me 100 euro çka bën në këtë standard, me këto shtrenjtime të çmimeve? Aty padrejtësia më e madhe që është bërë është që pensionistave nuk ia kanë numëruar stazhin, mbesin me 70 euro-80 euro. Nuk e di se kush e ka marrë atë vendim, ndërrohen qeveritë por i njëjti vendim mbetet. Nën 250-300 euro nuk munden as barnat të merren. Rritja e çmimeve po ndikon, vetëm po duhet të kursejmë”, tha njëri nga pensionistët.
“Nën 400 euro nuk do të duhej të ishte asnjë pension. Unë i kam 43 vjet kontribut”, u shpreh një tjetër pensionist.
Ndërsa një pensionist tjetër që po qëndronte në këtë qendër, por që jeton në Suedi, thotë se as në vendin ku jeton nuk ka pensione të mira, pasi nevojiten më shumë se 30 vjet qëndrim në këtë vend e pothuajse 40 vjet kontribut, në mënyrë që të merret një pension prej 700 apo 800 eurove.