Një rast shqetësues i përdorimit të armës së zjarrit është zbuluar në lagjen Velania në Prishtinë, ku plumbat kanë përfunduar në një oborr shtëpie, duke shkaktuar dëme materiale.

Ngjarja është raportuar më 14 prill rreth orës 18:00 në rrugën “Taib Zeka”, ndërsa dyshohet se të shtënat kanë ndodhur disa ditë më herët.

Siç mëson, ankuesja S.V.M. ka deklaruar se vetura e saj e tipit Mercedes, e parkuar në oborr, është dëmtuar në xhamin e përparmë nga predha të armës së gjuetisë (lloji saqmore).

Po ashtu, dëmtime janë vërejtur edhe në derën/dritaren e ballkonit, ku është krijuar një vrimë që dyshohet të jetë shkaktuar nga predhë e të njëjtit lloj.

Sipas saj, më 10 prill rreth orës 14:00, derisa ndodhej në ballkon, kishte dëgjuar krisma arme në lagje, por në atë moment nuk kishte vërejtur ndonjë dëmtim.

Dëmet janë konstatuar vetëm ditë më vonë, kur është vërejtur goditja në veturë dhe në objekt.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe tekniku kriminalistik, të cilët kanë gjetur dy gëzhoja afër veturës dhe një tjetër pranë ballkonit.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ende nuk dihet drejtimi nga kanë ardhur të shtënat.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe hetimet janë në vazhdim.

Related Posts