Policia Rajonale e Ferizajt, gjatë muajit qershor, ka intensifikuar kontrollet në trafik, me fokus të veçantë tek drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar gjithsej 106 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave, të cilët janë kapur duke qarkulluar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar 74 motoçikleta/skuterë, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të planit operativ: “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe skuterëve”.
Llojet e kundërvajtjeve përfshijnë 52 gjoba për drejtim të motoçikletës pa patentë shoferi, 46 gjoba për drejtim të motoçikletës pa regjistrim, 3 gjoba për drejtim të motoçikletës pa helmetë mbrojtëse, 74 motoçikleta të konfiskuara dhe 5 gjoba me masa të tjera.
“Ngasja e papërshtatshme e motoçikletave dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën e drejtuesit dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe gjithmonë vendosni helmetën mbrojtëse. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën” deklaron Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.
Policia njofton se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.




















