Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) t’u vazhdohet masa e paraburgimit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Për tre të akuzuarit, Prokuroria kërkesat i ka bërë ndaras dhe i ka dorëzuar më 26 gusht 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria thotë se për Veselin, Selimin dhe Krasniqin nuk ka asnjë zhvillim që nga vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit, që do të mbështesnin ndërrimin e kësaj mase.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer krime brenda juridiksionit të DHSK-së, konkretisht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria thotë se ka mjaftueshëm mundësi reale që Veseli, Selimi dhe Krasniqi të arratisen. Këtë, Prokuroria e argumenton duke përmendur dijeninë e të akuzuarve për akuzat e renda të konfirmuara ndaj tyre dhe dënimin e mundshëm që mund të rezultojë nga ato. Veç kësaj, thuhet se ata kanë njohuri edhe për provat lidhur me këto krime.

Përveç kësaj, Prokuroria pretendon se tre të akuzuarit ka rrezik që të pengojnë procedurat dhe përfundimi i çështjes së Prokurorisë nuk e eliminon këtë rrezik për shkak se ekziston rreziku që dëshmitarët të pengohen edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre.

Prokuroria përmend vlerësimet e gjykatës, duke shtuar se rreziku i ndërhyrjes përfshinë çdo përpjekje për t’u hakmarrë ndaj dëshmitarëve që kanë dëshmuar në këto procedura, përpjekje për të nxitur tërheqjen e dëshmive dhe përpjeke për të ndërhyrë në dëshmitarë në procedura paralele.

Sipas Prokurorisë, lirimi i njërit nga të akuzuarit nuk do të ishte në përputhje me mbrojtjen efektive të dëshmitarëve.

Prokuroria thotë se në Kosovë vazhdon klima e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedura penale kundër ish-anëtarëve të UÇK-së.

Ata i referohen edhe një konstatimi të Gjykatës në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ku është thënë se mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë çështje aktuale në Kosovë.

Prokuroria thekson se në këtë gjykim iu dha peshë dëshmisë së ekspertit Robert Reid, i cili kishte deklaruar se mbi 20 vjet në këtë fushë, nuk kishte parë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë.

Klimë e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë ishte konstatuar edhe në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, sipas Prokurorisë.

“Kjo klimë frikësimi vazhdon të jetë e pranishme, siç u vërejt nga Kolegji gjykues në çështjen Shala dhe siç shihet në raportimet mediatike, përfshirë edhe pas dëshmive. Natyrë provokuese dhe personale e sulmeve, si dhe komentet që ato nxisin, mund të rrezikojnë privatësinë, mirëqenien dhe sigurinë e dëshmitarëve të ardhshëm dhe/ose të kaluar”, thuhet në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit.

Madje, tek kërkesa për Krasniqin, Prokuroria i referohet sërish postimit të të akuzuarit që e kishte bërë më 2020-n, në të cilin kinse kishte folur për ‘bashkëpunëtorët’ si dhe deklaratat publike, ku kishte kritikuar DHSK-në.

Përveç kësaj, për tre të akuzuarit thuhet se ekziston rreziku i kryerjes së krimeve të tjera.

Si rrjedhojë, Prokuroria thotë se asnjë masë për lirimin me kusht nuk mund të zbusë mjaftueshëm rreziqet ekzistuese si dhe vazhdimi i paraburgimit mbetet proporcional dhe i arsyeshëm.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-s dhe pas 20 qershorit të 1999-s.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Related Posts