Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar për dorëzimin e aktakuzës lidhur me krimet e luftës të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz të Skenderajt, raporton Ekonomia Online.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka cilësuar këtë si një hap me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik, duke theksuar se kjo është aktakuza e parë e këtij lloji për këtë ngjarje.

“Sot, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar aktakuzën në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë, për opinionin publik, e që lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt. Kjo aktakuzë është rezultat i një pune të kujdesshme, profesionale dhe të bazuar në prova, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore që ka Prokuroria Speciale. Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë edhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në familjen Jashari në Prekaz,” ka deklaruar Isufaj.

Ai shtoi se tashmë i mbetet organit gjyqësor përpunimi i mëtejshëm i lëndës, ndërsa shprehu bindjen në punën e bërë nga prokurorët e rastit.

“Tani është në kompetencën e gjykatës që të vlerësojë aktakuzën dhe provat e paraqitura në përputhje me ligjin dhe standardet e një gjykimi të drejtë. Por si Prokurori Speciale, jemi të bindur se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar, me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës. Rëndësia e kësaj aktakuze qëndron edhe në faktin se ajo dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm për të trajtuar krimet e luftës dhe për të kërkuar përgjegjësi penale, pavarësisht kompleksitetit të këtyre rasteve dhe kohës së kaluar nga kryerja e këture rasteve,” theksoi kryeprokurori.

Gjatë konferencës, Isufaj u ndal edhe te rastet e tjera në proces e sipër, përfshirë ato të krimeve të luftës në Zubin Potok, si dhe çështjet e spiunazhit.

“Sikurse rastin e krimeve të luftës në Zubin Potok, ku tashmë është arrestuar edhe i dyshuari i katërt në këtë rast, unë për shkak se bëhet fjalë për një hetim në vazhdim nuk mund të flas apo të komentoj për detajet e këtij hetimi. I njëjti parim vlen për çdo rast tjetër që është në fazën e hetimeve. Megjithatë, ajo çfarë mund t’ju thëm qytetarëve është se Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, zhvillimit të hetimeve në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme, si dhe ndjekjes penale të të gjithë personave për të cilët ekziston bazë ligjore dhe ka prova të mjaftueshme. Gjatë javëve të fundit gjithashtu është dorëzuar edhe një aktakuzë e rëndësishme për espionazh, si dhe është arrestuar edhe një person i dyshuar për natyrë të tillë të veprës penale,” u shpreh ai.

Kreu i Prokurorisë Speciale vlerësoi lart bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë dhe drejtësisë.

“Po ashtu vlen të theksohet bashkëpunimi i suksesshëm ndërkombëtar që dëshmon se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm, sidomos për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Europolin, Eurojust-in dhe autoritetet e tjera të drejtësisë,” shtoi Isufaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts