Ky profil i rremë në Tik Tok që publikon lajme për vdekjen e figurave të ndryshme publike, nuk është as i pari e as i fundit.

Profile të tilla, që përmbajnë informacione të rreme e që për synim kanë dezinformimin e qytetarëve, janë shumë në numër e kontrollimi i tyre shpeshherë është i vështirë ngase rrallëherë mund të dihet se kush realisht fshehet pas tyre.

Sipas Profesorit Universitar, Dren Gërguri, postimet e ngjashme si ato në këtë profil Tik Toku, janë me shumë gjasa të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.

Këtë e thotë duke u bazuar në mbishkrimin dhe dizajnin e fotos.

Por cila është një ndër format më të lehta që të zbulojmë nëse informacionin që e lexojmë diku, është i vërtetë apo jo?

Sipas Profesorit në Universitetin e Prishtinës, janë tre hapa të cilët lehtësisht secili qytetarë, mund ti zbatoj në praktikë.

E kësisoj dhe hapësirat për t’u mashtruar nga lajmet e rreme do të ngushtohej dita e ditës, pas ndjekjes së këtyre hapave.

Sipas Gërgurit, një ndër arsyet kryesore pse qytetarët bëhen shumë lehtë pre e manipulimeve dhe mashtrimeve online, është niveli i ulët i edukimit medial.

Kjo bën që edhe mashtruesit të gjejnë shumë lehtë mënyrat më të thjeshta se si të turbullojnë mendjet e audiencës që të besojnë atë që ata duan.

Sipas Gërgurit, secili lexues i një informacioni në çfarëdo media sociale duhet të ketë një gjykim kritik ndaj asaj që lexon.

Shto këtu dhe faktin që tanimë Inteligjenca Artificiale ka pushtuar tregun dhe sipas një raporti me autor Dren Gërgurin, në të cilin është analizuar integrimi i Inteligjencës Artificiale në redaksitë e televizioneve në Kosovë, ka rezultuar se 42% e gazetarëve përdorin mjete të Inteligjencës Artificiale si ChatGPT dhe ShqipAI për detyra të ndryshme, si gjenerimi i titujve, transkriptimi e përmirësimi gjuhësor.

Sipas profesorit Gërguri, si shoqëri problemin e verifikimit të informacionit e kemi shumë më të hershëm e jo vetëm dy – tri vjetëve të fundit.

Por që sipas tij, Ministria e Arsimit është institucioni kryesor që duhet marrë më seriozisht situatën dhe të kërkoj një zgjidhje, duke nisur nga futja e edukimit medial si lëndë në shkolla.

Në këtë intervistë për Kiks Kosova, Gërguri u shpreh i zhgënjyer me faktin se sa pak punë është bërë në këtë drejtim, andaj sipas tij, sot e kemi një shoqëri e cila e ka të vështirë të njoh rrugën e verifikimit të një informacioni.

Related Posts