Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar masat e reja anti-COVID, të cilat do të hyjnë në fuqi nga dita e premte, më 20 gusht
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se masat kufizuese kanë për qëllim kontrollin dhe parandalimin e shpërndarjes së COVID-19.
“Masat e këtij propozimvendimi, nuk përcaktojnë në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë së statusit të vaksinimit, të rezultatit të një testimi që arrin në përfundimin se personi nuk është i infektuar, apo që është i shëruar nga COVID-19 dhe ka antitrupa të mjaftueshëm për ta luftuar sëmundjen”, ka deklaruar Vitia.
Ministri Vitia nuk i ka përmendur masat të cilat u miratuan sot, megjithatë, të martën ai ka takuar hisedarët në zbatimin e masave anti-COVID, me të cilët ka vendosur për masat e reja.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, të martën ka deklaruar për Express se nga data 20 gusht, deri më 1 shtator, orari i gastronomisë do të jetë deri në orën 22:30 apo eventualisht deri në orën 23:00.
“Nga data 20 deri më 1 shtator orari i gastronomisë do të jetë deri në 22:30 ose deri në orën 23:00. Sallat e dasmave, hotelet, restorantet, qendrat tregtare dhe restorantet brenda tyre po ashtu. Maksimumi i personave të lejuar në dasma do të jetë 150.”, ka deklaruar Sogojeva.
Sogojeva tha se në dasma do të kërkohet dëshmia e vaksinës, apo testi negativ i COVID-19.
Sogojeva tha se nga data 20 gusht, klubet e natës do të mbyllen, derisa tha se nuk është përmendur kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
“Klubet e natës mbyllen nga data 20. Kufizimi i lëvizjes nuk është përmendur. Ne si Odë duke e parë gjendjen, u pajtuam me këto masa deri më 1 shtator”, ka deklaruar Sogojeva.
Ndërkaq Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se kryetarët e komunave kanë propozuar mbylljen e klubeve të natës, lejimin e dasmave me vetëm 150 persona me dëshmi të vaksinimit ose me test PCR negativ apo serologjik.
“Në respektim të masave do të duhet të shtohen rastet e inspektimeve nga niveli qendror dhe në bashkëpunim me inspektorët komunalë që të jenë edhe në një fushatë ndërgjegjësimi sidomos në gastronomi që të zvogëlojmë shkallën e infektimeve”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Po ashtu, në këtë takim është marrë vendim që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe të shtunën.
“Ministri Vitia tha në fund se tash në Qendrat e Vaksionimit do të punohet edhe të shtuneve ndërsa sa i përket barnave esenciale kemi marrë gjitha masat por janë 200 aktivitete të prokurimit dhe nuk mund të përshpejtojmë për shkak procedurave”, thuhet në postimin e AKK-së.