Ndër qytetarë dëgjohen shpesh ankesa të qytetarëve për kolonat e gjata të automjeteve në rrugët e kryeqytetit. Madje, konsiderohet ndër problemet më shqetësuese në Prishtinë.

Mirëpo, eksperti për digjitalizim dhe telekomunikacion në komunën e Prishtinës, Luftar Braha, vlerësoi se gjendja e komunikacionit në Prishtinë është përmirësuar ndjeshëm, falë monitorimit 24-orësh dhe ndërhyrjeve në nyjet kryesore të qytetit.

Ai në intervistë për EO, tha se rrjedhshmëria e trafikut është rritur mbi 20 për qind, ndërsa kapaciteti i rrugëve është përmirësuar mbi 30 për qind.

“Gjendja në komunikacion në Prishtinës është jashtëzakonisht më e mirë sesa ka qenë. E kemi të mbështetur në të dhëna me sisteme që monitorojnë trafikun live në 24 orë gjatë javës. Kemi përmirësim mbi 20 për qind të rrjedhshmërisë në trafik. Kemi punuar shumë në nyjet kryesore të kryeqytetit, siç janë Katedralja, ‘Bill Clinton’, rruga ‘Agim Ramadani’ deri te Xhamia e Llapit duke liruar dhe duke rritur potencialin e rrugëve mbi 30 për qind. Kjo ka lënë një hapësirë për procesim të veturave dhe ka rritur rrjedhshmërinë. Po flasim për orët kulmore. Autobusët e flotës sonë që janë rreth 140 autobusë, të cilët maten në kohë reale gjatë gjithë kohës në orën më kulmore lëvizin 12 km/h, që tregon që ka rrjedhshmëri. Ne i kemi disa nyje që janë problematike, që është te rrethi i flamurit, rrethi i QKUK-së dhe rrethrrotullimi tek rruga B, të cilat jemi duke i trajtuar për zgjidhje të qëndrueshme”, tha Braha.

Related Posts