Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë prezantimit të Projektit për Menaxhimin e Parkingjeve Publike, ka njoftuar se nga dita e mërkurë do të nis zbatimi i pagesës për makinat e parkuara në rrugë.
Ahmeti ka thënë se banorët e kryeqytetit do të kenë mundësinë të aplikojnë deri më 28 shkurt për të marrë kartën rezidente për parking.
Po ashtu, sipas tij, personat që nuk janë banorë të Prishtinës, për ta kufizimi vlen prej dy orësh, përcjell Telegrafi.
“Nuk mund të vish edhe ta zësh një parking në qendër për 8-9 orë. 30 për qind e trafikut bëhet prej njerëzve që kërkojnë parking. Shumica e këtyre parkingjeve i kemi marrë për menaxhim. Sot kemi kënaqësinë t’ju lajmërojmë që duke filluar nga nesër në disa vende më të frekuentuara do të fillojmë zbatimin e parkingjeve rezidente. Mundësia e parë është përmes aplikacionit ‘Prishtina Parking’. Paguhet për minutë, për ata që nuk janë rezidentë mundësia e parkingut është dy orë”, ka njoftuar Ahmeti.
Ai ka bërë të ditur se për zonën 1, rruga “Agim Ramadani” deri te “Pallati i Rinisë”, parkingu për banorët rezidentë në muaj kushton 10 euro ose 100 euro për vit. Në zonën 2, “Dardania”, “Bregu i Diellit”, do të kushtojë 7 euro në muaj ose 70 euro në vit, ndërsa në zonën 3 do të jetë 5 euro në muaj ose 50 euro në vit.
Ahmeti ka theksuar se do të ketë kontrollorë të parkingut, dhe në rast se shihet që regjistrimi nuk është bërë me pagesë do të thirret policia për gjobitje prej 25 eurove. Mundësia tjetër është përmes operatorëve telefonik, me parking metër, po ashtu edhe blerja e biletave në pika të caktuara. /Telegrafi/