Kryetari i partisë GUXO, njëherit kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut ka reaguar pasi në protestën e sotme është kërkuar që kryministri Albin Kurti ta shkarkojë nga detyra e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallen.
Peci, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë.
Mirëpo, sipas tij çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të merr kundërshtimin tonë me të ashpër.
Postimi i plotë:
Në emër të Partisë Guxo dhe si Kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme.
UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht.
Protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të merr kundërshtimin tonë me të ashpër.
Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur “Jusuf Gërvalla”) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe.
Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOjmë ta harrojmë!
Prandaj, stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës!




















