Kryeministri Edi Rama këmbëngul se investimi në Zvërnec nuk synon ta shkatërrojë zonën por ta rigjenerojë atë.

Në një intervistë për rrjetin britanik televiziv Chanel 4,, kreu i qeverisë përsëriti se nuk ka ende një projekt por ekspertë ndërkombëtare janë angazhuar për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

“Janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë ne po bëjmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Pra, projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur. Synon ta rigjenerojë”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se qeveria e tij nuk do të çoj kurrësesi para një projekt që nuk përputhet me standartet europiane.

“Është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar. Nuk mund të jetë ndryshe. Dhe, meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Prandaj vetë ideja se ne mund të ecim përpara me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet evropiane është absurde. Unë po them vetëm këtë për këtë projekt, qetësohuni, flisni me fakte, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke thënë se gjithçka është katastrofike”, tha Rama.

Rama komentoi edhe protestat që për afro dy muaj po zhvillohen poshtë zyrës së tij.

“Kushdo që e bën punën e tij me pasion e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Madje kjo më ka ndihmuar. Për mua protestat e qershorit, jo kjo e tanishmja, kanë qenë njëkohësisht një konfirmim se vendi ka arritur në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë”, tha Rama.

Për herë të parë Rama zbuloi edhe si u njoh me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në vitin 2020.

“Unë isha i ftuar ti bashkohesha disa njerëzve, në një jaht, që ndaloi në Shqipëri, për tu mbushur me karburant, dhe që të shkonte në Mal të Zi. Isha i ftuar, dhe shkova. U njoha me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë, por mund t’ju them me bindje se nuk ishin të interesuar për asgjë për Shqipërinë në termat e interesit direkt, ishin të interesuar për historinë, ku ishin. E para. E dyta, kur ndodhi, disa muaj më vonë në Davos, dhe Kushner shprehu interes për mundësitë për të investuar në Shqipëri. Dhe sigurisht që i thashë Po. Si do i thoja jo? Është gjëja më normale për mua”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts