Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si një “ditë historike për rilindjen e industrisë ushtarake” dorëzimin e 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s për Forcat e Armatosura.
Përmes një postimi, Rama bëri të ditur se kompania “Timak Defence”, e cila nisi si një start-up shqiptar, tashmë është shndërruar në një kapacitet prodhues për ushtrinë. Ai theksoi se shteti shqiptar është aksionar në këtë kompani përmes partneritetit mes “Timak Defence” dhe kompanisë shtetërore KAYO, e krijuar për bashkëpunime në fushën e mbrojtjes.
Sipas Ramës, synimi është ndërtimi i një industrie ushtarake “Made in Albania”, që do të përmbushë nevojat e Forcave të Armatosura me produkte të standardeve të larta, si dhe do të krijojë mundësi për eksport në vendet mike dhe aleate.
“Ky është vetëm fillimi i një tjetër historie të re për Shqipërinë, që deri dje askush nuk e parafytyronte”, u shpreh Rama.
https://www.instagram.com/reel/Dbc9EmtOYFN/?utm_source=ig_web_button_share_sheet




















