Kryeministri shqiptar Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Korenë e Jugut, (17–21 maj), i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe delegacioni.

Vizita synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si edhe zgjerimin e partneritetit, në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin, teknologjinë dhe inovacionin.

Në mbërritjen e tij në Seul, Rama do të jetë i ftuar në një darkë mirëseardhjeje të organizuar nga Qendra për Lidershipin Aziatik dhe Klubi Harvard i Koresë, organizata të angazhuara në promovimin e lidershipit, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Azi, shkruan Tch, transmeton Klankosova.tv.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të politikës, qeverisë dhe biznesit korean, ndërsa Kryeministri do të zhvillojë edhe takime me Kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, si dhe me CEO-n e Samsung, Lee Jae-yong.

Në ceremoninë hapëse te Konferencës prestigjioze të Lidershipit Aziatik, Kryeministri Rama do të mbajë një fjalë përshëndetëse përkrah personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare, mes tyre edhe Kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Minseok.

Më pas kryeministri Rama do të jetë i ftuar i veçantë në panelin me temë “Bisedë me një udhëheqës: Një epokë e transformimit të madh: strategjia e madhe e një kombi të vogël”, ku do të trajtojë sfidat e reja globale nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, strategjitë e vendeve të vogla përballë ndryshimeve gjeopolitike, si edhe rolin e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital në qeverisje.

Axhenda e vizitës përfshin edhe një sërë takimesh me drejtues të kompanive më të mëdha koreane, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri. Në kuadër të vizitës, Kryeministri Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një dialog ekskluziv me liderët e rajonit Azi-Paqësor (APAC).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts