Banorët e fshatit Bardhosh kanë shprehur shqetësime lidhur me vendosjen e një rampe në hyrje të oborrit të ambulantës së fshatit, e cila nuk lejon hyrjen e automjeteve brenda hapësirës së objektit shëndetësor.
Përmes një njoftimi publik, banorët kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të marrin në konsideratë nevojat e pacientëve, veçanërisht të moshuarve dhe personave me vështirësi në lëvizje, të cilët sipas tyre kanë nevojë për qasje sa më të afërt dhe më të lehtë deri te ambulanta.
Sipas reagimit të publikuar, kufizimi i hyrjes së automjeteve mund të krijojë vështirësi për qytetarët që kanë nevojë për shërbime mjekësore dhe nuk janë në gjendje të ecin distanca më të gjata.
Banorët kanë bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje e përshtatshme, e cila do të mundësonte ruajtjen e rendit në oborrin e ambulantës, pa penguar njëkohësisht qasjen e pacientëve që kanë nevojë për ndihmë.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me këtë çështje.




















