Në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt, të shtunën në orën 13:30 është bërë rivarrimi i Sinan Dautit, 9-vjeçarit i cili më 12 prill 1999 u plagos rëndë nga forcat serbe dhe dy ditë më pas vdiq në Mitrovicë, si pasojë e plagëve, ndërsa gjatë këtyre viteve familja nuk kishte asnjë informacion për fatin dhe vendndodhjen e eshtrave të tij.

Pas një procesi të gjatë kërkimi dhe përpjekjeve të pandërprera ndër vite, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin Krimeve të Luftës-Sektorit për Persona të Zhdukur, si dhe me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbetjet mortore të Dautit janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, ndërsa identifikimi është realizuar së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, raporton Klankosova.tv.

Në ceremoninë e rivarrimit morën pjesë familjarë, qytetarë të shumtë e përfaqësues institucionesh.

Mes tyre ishte edhe U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, zyrtarë të Komunës së Skenderajt dhe nga OVL-UÇK.

Ceremonia e rivarrimit u organizua sipas kërkesës së familjes, me përkrahje të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komunës së Skenderajt.

Related Posts