Personat që fillojnë trajtimin me barna antipsikotike mund të përballen me ndryshime të shpejta në nivelin e sheqerit në gjak dhe në peshën trupore, veçanërisht gjatë 90 ditëve të para të përdorimit.

Një studim i ri thekson rëndësinë e monitorimit të hershëm për të identifikuar rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2, shkruan HealthDay përcjell Gazeta Shneta.

Studimi, i publikuar më 14 tetor në revistën shkencore The Lancet Psychiatry, analizoi të dhënat e afro 97 mijë të rriturve në Angli, të cilët kishin filluar përdorimin e antipsikotikëve gjatë periudhës 2000–2023.

Sipas rezultateve, rritja mesatare e sheqerit në gjak gjatë 90 ditëve të para të trajtimit ishte rreth 14 herë më e shpejtë, ndërsa shtimi në peshë rreth nëntë herë më i shpejtë, krahasuar me periudhën para fillimit të mjekimit.

Studiuesit analizuan barna si olanzapina, kvetiapina, risperidoni dhe aripiprazoli, të cilat përdoren për trajtimin e çrregullimeve të ndryshme mendore.

Nga këto barna, olanzapina u shoqërua me rritjen më të madhe të hershme të sheqerit në gjak dhe të peshës trupore.

Sipas studimit, ritmi i rritjes së sheqerit në gjak ishte rreth 50 herë më i shpejtë, ndërsa ai i shtimit në peshë rreth 10 herë më i shpejtë gjatë tre muajve të parë, krahasuar me periudhën para trajtimit.
Personat me paradiabet paraqiten si grup më i rrezikuar.

Të dhënat treguan se rreth 19 për qind e personave me paradiabet zhvilluan diabet të tipit 2 brenda dy vjetëve nga fillimi i trajtimit me antipsikotikë. Në mesin e personave që kishin nivele normale të sheqerit në gjak, kjo përqindje ishte rreth tre për qind.

Studimi evidentoi gjithashtu dallime mes grave dhe burrave. Gjatë 90 ditëve të para të trajtimit, niveli i sheqerit në gjak u rrit me ritëm rreth 24 herë më të shpejtë te gratë, krahasuar me periudhën para trajtimit, ndërsa te burrat ky ritëm ishte rreth 10 herë më i shpejtë.

Shtimi në peshë ishte rreth 12 herë më i shpejtë te gratë dhe 10 herë më i shpejtë te burrat.

Juan Carlos Bazo-Alvarez, studiues në University College London dhe udhëheqës i studimit, tha se 90 ditët e para pas fillimit të trajtimit përbëjnë një periudhë të rëndësishme, gjatë së cilës mund të shfaqen ndryshime të lidhura me diabetin dhe shtimin në peshë.

Ai theksoi se profesionistët shëndetësorë duhet të kontrollojnë peshën trupore dhe nivelin e sheqerit në gjak para fillimit të trajtimit, si dhe gjatë muajve të parë të përdorimit të barnave.

Sipas studiuesve, monitorimi i hershëm mund t’i ndihmojë mjekët të identifikojnë më shpejt ndryshimet metabolike dhe të ndërmarrin masa për të parandaluar komplikimet e mundshme, veçanërisht te personat me paradiabet dhe grupet me rrezik më të lartë.

Megjithatë, rezultatet nuk nënkuptojnë se çdo person që përdor antipsikotikë do të zhvillojë diabet. Pacientët nuk duhet ta ndërpresin ose ta ndryshojnë trajtimin pa u konsultuar me mjekun që i ndjek.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts