Tash e disa vite janë zhvilluar debate për mbylljen e deponisë së mbeturinave në Mirash, por e njëjta vazhdon të funksionojë akoma.
Deponia Sanitare e Mirashit ka një sipërfaqe prej 50 hektarë në të cilën deponojnë mbeturina shtatë kompani publike dhe 36 kompani private.
Sasia e bërllokut në këtë lokacion është duke u rritur nga vitit në vit, ku vetë gjatë vitit 2021 janë grumbulluar 167 mijë e 371 ton mbeturina.
Nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) kanë bërë të ditur se gjatë ndërtimit të pikës grumbulluese nuk ka pasur sistem të kapjes se gazrave (filtra) dhe janë funksionalizuar pa filtra.
“Gazi lirohet në ajër përmes sistemit pasiv të vendosur në trup të deponisë. Ekziston mundësia që deponia e Mirashit të shpërthej nga gazrat e akumuluar, sidomos gazit metan”, thuhet në përgjigjen e KMDK-së.
Tutje nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë thonë se “bazuar në projektin e AER nga projeksionet e jetëgjatësisë të hartuara në projekt, Deponia Sanitare në Mirash tashmë e ka përmbyll jetëgjatësinë”.
“Në strategjinë dhe Planin e Biznesit të planifikuar nga KMDK-ja në koordinim me aksionarin, nëse do të ketë investime në trajtimin e ujërave në deponinë sanitare në Mirash
“Rregullimin e qëndrueshmërisë së Deponisë, dhe nëse këto investime realizohen apo mbështeten nga aksionari, atëherë Deponia e Mirashit funksionon deri në vitin 2025”, kanë thënë nga KMDK-ja.
– Inventari i Emisioneve Në vitin 2018 në raportin e Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë ishte gjetur se “Sasi të mëdha të ujerave të zeza janë grumbulluar në formë baseni duke paraqitur një rrezik të madh për ndotjen e tokës dhe ujërave nëntokësore”. Në këtë raport ishte rekomanduar që të ketë mbikëqyrje rigoroze të përbërjes së mbeturinave që pranohen në deponi, pastaj të bëhet shtrirja, presimi dhe mbulimi me rregull, të mirëmbahen gypat për nxjerrjen e gazrave të deponisë, si dhe të rregullohet sistemi i pompimit të ujërave dhe të futet në funksion si dhe të eliminohen ujërat e zeza jashtë deponisë të grumbulluara në formë baseni.
Ndërsa në raportin e mjedisit në Kosovë për vitin 2020 thuhet se sasia më e madhe e mbeturinave është deponuar në deponinë sanitare në Mirash, ndërsa sasia më e vogël në deponinë sanitare në Dragash.
Premtimet për mbylljen e deponisëNë muajin qershor të vitit 2021 Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu pasi kishte vizituar Deponinë e Mirashit kishte thënë se e njëjta do të mbyllet pas keqmenaxhimit për një dekadë e gjysmë të saj.
Aliu kishte theksuar se edhe Banka Zhvillimore Gjermane (KfW), ka vlerësuar së gjendja mjedisore dhe infrastrukturore e deponisë është shumë e rëndë, dhe po jep imazhin e një deponie jashtë çdo standardi të duhur të menaxhimit të mbeturinave.
“Kemi nevojë për krijimin e deponive të reja duke u bazuar ne menaxhim të mirëfilltë të integruar të mbeturinave, si dhe fuqizimin e mëtejmë të inspektoratit mjedisor. Këto pika janë të një rëndësie të lartë për qeverisjen tonë, andaj edhe qasja jonë ndaj këtyre projekteve do të jetë e një niveli të tillë”, ka thënë Aliu gjatë inspektimit të deponisë.
Mirëpo deri më tani kjo deponi nuk është mbyllur dhe Ministria e Ambientit nuk është përgjigjur në pyetje e dërguara.
Drejtoresha e Mjedisit në Komunën e Obiliqit, Fitore Hashani ka thënë për KALLXO.com se inspektorati ka realizuar inspektime të vazhdueshme dhe vërejtjet e shqetësimet e dhëna ishin gazi (metani), ujërat e pa trajtuara që gjenden në trupin e deponisë dhe shpezët.
“Ne në vazhdimësi dhe në çdo takim me nivelin qendror ne kemi ngritur shqetësimin tonë për arsye të rrezikshmërisë me çka kemi kërkuar edhe mbylljen urgjente të saj, e si duket së paku nga premtimet e Ministrisë së Planifikimit, në takimin e fundit me ministrin z. Liburn Aliu, ne takimin e fundit (në fundvit), do të vije deri te mbyllja dhe ndërrimi i lokacionit të kësaj deponie (për më saktë presim hap nga Ministria përgjegjëse)”, ka thënë Hashani.
Në vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 28 maj 2021, në “Strategjia (2021-2030) dhe Plani i Veprimit (2021-2023) për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë” është paraparë që të bëhet përmirësimi i gjendjes teknike dhe operative në deponinë e rajonit të Prishtinës në “Mirash – Obiliq”. Për këtë investim janë paraparë 3 milionë e 220 mijë euro.
Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.