Kompania koreano-jugore Samsung po shqyrton zhvillimin e bizhuterive, syzeve dhe varëseve inteligjente të mundësuara nga inteligjenca artificiale, që përdoruesit mund t’i veshin çdo ditë.
Won-Jun Choi, drejtor operativ i divizionit të përvojës mobile të Samsung, tha se përdoruesit mund të komunikojnë dhe të bëjnë gjëra më shpejt me ndihmën e këtyre pajisjeve të inteligjencës artificiale pa pasur nevojë të nxjerrin telefonat e tyre, shkruan CNN.
“Për Samsung, këto lloje pajisjesh të reja mund të jenë diçka që e bartni rreth qafës, diçka që varet nga veshët ose diçka që e vendosni në gisht. Pra, mund të jenë syze, vathë, orë dore, unaza dhe ndonjëherë një gjerdan”, tha ai.
Samsung dhe kompanitë e tjera të teknologjisë shpesh zhvillojnë prototipa dhe testojnë brenda kompanisë teknologji të reja, që nuk arrijnë kurrë në treg.
Kjo është arsyeja pse nuk është e sigurt nëse klientët do të jenë në gjendje t’i marrin këto produkte.
Komentet e Choi, tregojnë mundësinë që gjigantët e teknologjisë shohin në zhvillimin e produkteve të reja harduerike bazuar në inteligjencën artificiale – një teknologji që disa ekspertë thonë se mund të jetë po aq revolucionare sa interneti.