Një grup i senatorëve amerikanë kanë thënë se do të refuzojnë ta certifikojnë fitoren e Joe Bidenit në zgjedhje, në rast se nuk krijohet një komision për të hetuar pretendimet për mashtrim, raporton BBC.
11 senatorët dhe senatorët e zgjedhur, të udhëhequr nga Ted Cruz, duan një shtyrje dhjetëditore për të hetuar pretendimet për kurdisje të zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Mirëpo, kjo lëvizje nuk pritet të ketë sukses, pasi shumica e senatorëve pritet të jenë për Bidenin në votimin më 6 janar.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka refuzuar ta pranojë humbjen në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, duke përsëritur vazhdimisht pretendimet se ka pasur kurdisje të zgjedhjeve, ndonëse ka bërë këto pretendime pa fakte.
Përpjekjet ligjore të tij për të përmbysur rezultatin kanë dështuar.
Kolegji Elektoral i SHBA-së muajin e kaluar ka çimentuar fitoren e Bidenit ndaj Trumpit me 306:232, në vota elektorale.
Këto vota duhet të konfirmohen edhe nga Kongresi më 6 janar. Dita e inaugurimit, kur presidenti i ri i SHBA-së, demokrati Joe Biden, pritet të betohet, do të jetë më 20 janar.
Në deklaratën e lëshuar sot, senatori i Teksasit, Ted Cruz, ka thënë se zgjedhjet e nëntorit janë përcjellë “me pretendimeve të paprecedent për mashtrim të votuesve, thyerje të ligjit të zgjedhjeve dhe parregullësi në votime”.
Ai i ka kërkuar Kongresit ta caktojë një komision për një auditim dhjetëditor emergjent të rezultatit të zgjedhjeve në shtetet diskutabile.
Mirëpo, tentimi i Cruzit dhe senatorëve tjerë nuk pritet të ketë sukses.