Njohësi i çështjeve politike Krenar Shala me anë të një shkrimi në Facebook ka ironizuar me opozitën, pasi pati reagime të shumta lidhur me raportimet se Qeveria Kurti është tërhequr nga vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, sikurse që kishin premtuar në fushatën zgjedhore në zgjedhjet e fundit.
Ai duke ironizuar ka thënë se pas këtij vendimi të Kurtit, shumë shpejt Amerika pritet t’i tërheqë trupat e saj nga Kosova.
“Shumë shpejt Amerika pritet t’i tërheqë trupat e saj nga Kosova për shkak se Albin Kurti po refuzon me e vendosë reciprocitetin”, ka shkruar Shala në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Ndryshe, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka reaguar në lidhje me tërheqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Ajo ka sqaruar se deklarata e saj është keqinterpretuar, pasi ajo nuk ka deklaruar se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por se nuk ka dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë.