Gjatë vitit 2025, tumoret malinje të organeve të tretjes rezultuan të jenë lloji i kancerit me numrin më të madh të rasteve të reja të raportuara në Kosovë, ndërsa grupmosha 65-69 vjeç u godit më së shumti nga sëmundjet malinje dhe beninje.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 3,775 raste të reja, prej të cilave 1,927 te gratë dhe 1,848 te burrat, raporton Indeksonline.
Kanceri i organeve të tretjes kryeson me numrin e rasteve.
Llojet e kancerit me më së shumti raste të reja janë:
| Lloji i kancerit | Raste |
| Tumoret e organeve të tretjes | 685 |
| Melanoma dhe tumoret e lëkurës | 621 |
| Kanceri i gjirit | 601 |
| Tumoret e organeve gjenitale femërore | 409 |
| Tumoret e organeve të frymëmarrjes | 381 |
| Tumoret e traktit urinar | 276 |
| Tumoret e organeve gjenitale mashkullore | 262 |
Kanceri i gjirit mbetet diagnoza më e shpeshtë te gratë me 592 raste, ndërsa tumoret e organeve të tretjes dhe ato të lëkurës dominojnë në total.
Moshat më të prekura
Shifrat tregojnë se rreziku rritet ndjeshëm pas moshës 55-vjeçare.
Grupmoshat me numrin më të madh të rasteve janë:
- 65-69 vjeç – 599 raste
- 60-64 vjeç – 538 raste
- 70-74 vjeç – 492 raste
- 55-59 vjeç – 428 raste
- 75-79 vjeç – 364 raste
Në anën tjetër, te fëmijët 0-4 vjeç janë regjistruar 22 raste, ndërsa në grupmoshën 5-9 vjeç vetëm 8 raste, duke treguar se incidenca është shumë më e ulët në moshat e hershme.
Burrat dhe gratë
- Gratë: 1,927 raste
- Burrat: 1,848 raste
Raporti evidenton se gratë kanë më shumë raste të raportuara në total, kryesisht për shkak të numrit të lartë të rasteve të kancerit të gjirit dhe tumoreve të organeve gjenitale femërore, ndërsa burrat dominojnë te tumoret e organeve të tretjes, frymëmarrjes dhe traktit urinar.




















