Shtetet e Bashkuara duan ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm (LNG).

Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore.

Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit – nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi.

Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Disa nga këto projekte janë tashmë në fazë ndërtimi ose në proces kontraktimi, ndërsa të tjerat janë ende në fazën e planifikimit.

Në përgjithësi, sistemi energjetik rajonal është duke u orientuar gradualisht drejt gazit natyror nga SHBA-ja, Azerbajxhani dhe Mesdheu.

Jonathan Stern, profesor në Institutin Oxford për Studime Energjetike, vlerëson se Evropa Juglindore tashmë ka zhvilluar rrugë alternative të furnizimit.

“Ekzistojnë terminale të LNG-së në Greqi dhe Kroaci, dhe Korridori Jugor i Gazit nga Azerbajxhani, së bashku me fushën rumune të gazit Neptun Deep në Detin e Zi, shfrytëzimi i së cilës pritet të fillojë vitin e ardhshëm dhe rezervat e së cilës vlerësohen në 100 miliardë metra kub”, thotë Stern për Radion Evropa e Lirë.

Me mënyrën e re të SHBA-së, parashihet fundi i varësisë së Bosnje dhe Hercegovinës nga Rusia, një partneritet strategjik Serbi-SHBA, terminali i LNG-së në Tivar dhe termocentralet me gaz, Maqedonia e Veriut si hallkë kyçe e Korridorit Jugor, si dhe Shqipëria që do të jetë qendra e LNG-së në Adriatik.

Kosova aktualisht jashtë planeve

Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit dhe mbështetet plotësisht në termocentralet me qymyr.

Projekti për një interkonektor gazi me Maqedoninë e Veriut është përfshirë më herët në planin investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por është ndalur për shkak të, siç kanë thënë nga Qeveria, kostove të larta dhe fokusit strategjik në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Tubacioni do t’i jepte Kosovës qasje në gaz nga terminalet greke të LNG-së në Detin Egje, dhe ideja ishte të ndërtohej edhe një tubacion drejt Shqipërisë.

“Nëse dhe kur kushtet e tregut ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës, Departamenti i Energjisë [i SHBA-së] do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lidhjen e kompanive amerikane me partnerët në Kosovë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Joshua Volz, i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë.

Kosova ka refuzuar të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe i ka devijuar fondet në sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts