Vetëvendosje e Albin Kurtit kërkoi nga dy partitë më të mëdha opozitare 3 propozime për president. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, ia paraqiti emrin e Vjosa Osmanit. I kërkoi partisë në pushtet edhe garanci se mazhoranca e voton. Këtë propozim subjekti politik i Kurtit siç duket nuk po do ta “shoh” në tavolinë dhe të dielën vonë e përsëriti sërish kërkesën për tre emra.

Arbërie Nagavci, shefja e grupit parlamentar të VV-së, ishte ajo që shkroi në Facebook, rreth orës 22:00, ku la të kuptohej se nuk i ‘njohin’ propozimet në rrjete sociale.

Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afatit, Nagavci tha se janë në pritje për propozimet konkrete dhe i ftoi PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë.

Në postimin e saj shpërthyen komentet e qytetarëve, që kërkonin llogari për ‘ofertën’ e fundit të VV-së dhe e përmendnin propozimin e LDK-së për ish-presidenten, Vjosa Osmani.

Madje, dikush u ankua se po fshihen komentet e tyre, teksa ia drejtoi Nagavci një pyetje direkte: “Pse nuk po e votoni Vjosën, por po na dërgoni prapë në zgjedhje?”

Ndërsa një tjetër mbështetës i Vetëvendosjes shkroi se refuzimi i Osmanit do të ishte një gabim dhe një situatë e tillë, sipas tij, e bën fajtore këtë parti, transmeton Klankosova.tv

“Refuzimi (eventual) i Vjoses do te ishte gabim. Mendoj se zgjidhja ekziston. VV duhet ta mandatoje edhe me 15 nënshkrimet e saj dhe 15 te LDK-se dhe brenda afatit kushtetues te zgjidhet presidenti/ja dhe vendi te krijoje stabilitetin e nevojshem. Nese e refuzoni kete mundesi, duhet ta dini qe do te bëheni bashkëfajtorë hiç me pak se edhe partitë opozitare.

E dini shume mire qe situata e tanishme do te perseritet dhe do te humbet kohe pa nevoje dhe do te riktheheni prape diskutimeve per ta zgjedhe presidentin, por me rrezik qe parlamenti mos te jete ne gjendje ta zgjedhe as qeverinë, siç ndodhi pas 9 shkurtit, e Albini te shihet si pengese e zgjidhjes se ngerçit. Shpresoj qe keto fjale te mia t’i lexoni si mbështetës i juaj shumëvjeçar dhe i interesuar qe Kosova te dale nga kjo situate, e qe është me rendësi edhe per pozitën e shqiptareve ne Lugine.”

Emrin e Vjosa Osmanit e kërkuan edhe votues të tjerë të Vetëvendosjes, të cilët bile i kërkuan kësaj partie njëfar llogarie se pse nuk ka treguan që s’do të ofrojnë përkrahje për ish-presidenten para 28 dhjetorit, kur u mbajtën zgjedhjet”.

“Ju lutem mos e teproni mo, po zgjidheni Vjosa Osmanin presidente, se ma të mirë se ajo nuk ka.

…për mua si votues i rregullt i VV-s e kur them për mua kupto edhe nja minimum 200 a 300,000 votues tjerë si unë, ka qenë e vetëkuptueshme se Vjosën do ta nominoni për presidente, për atë edhe ju kemi votu.

Çka ndodhi masandej është tradhti, ose thikë pas shpine, për një pjesë të madhe të votuesve të binomit Vjosa & Albini.” 

Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, nëse një president i ri nuk zgjidhet deri të martën e 28 prillit.

Related Posts