Kryeministri Edi Rama deklaroi se projekti i Identitetit Digjital do të jetë gati për publikun në fillim të vitit të ardhshëm.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë të hënën në aktivitetin e prezantimit të Identitetit Digjital, një projekt që, sipas tij, do të vendosë qytetarin në qendër të marrëdhënies me shtetin përmes teknologjisë.

“Një tjetër moment i shumëpritur dhe mirëpritur, sepse prej disa kohësh jemi angazhuar me shumë dëshirë dhe ambicie për të krijuar identitetin digjital”, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Kreu i qeverisë theksoi se sistemi do të jetë gati për të gjithë qytetarët në fillim të vitit të ardhshëm.

“Çfarë po demonstrohet sot do të jetë në dispozicion të publikut dhe të raportit mes qytetarit, shtetit dhe ekonomisë sonë në fillim të vitit të ardhshëm”, shtoi kryeministri.

Rama u ndal edhe te krahasimi me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Shqipëria po ecën me ritëm të shpejtë në këtë drejtim.

“BE po përgatitet për identitetin digjital dhe objektivi i shpallur është që në vitin 2027 qytetarët e BE të mund të pajisen me identitetin e tyre digjital. Ne do të jemi një hap më para”, u shpreh ai.

Kryeministri e quajti këtë nismë “një bekim të kohës moderne”, duke theksuar se teknologjia digjitale po i mundëson Shqipërisë të kapërcejë pengesa historike në shërbime publike.

Related Posts