Kanë mbetur edhe 6 ditë deri te vendimi i madh i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, në total 180 vjet.

Ata që u dëgjuan në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, në sallën ku pritet të jepet verdikti më 16 shtator, ZPS tentoi t’i diskretitojë, transmeton Klankosova.tv

Në vijim të rikthimit në vëmendje të deklaratave përmbyllëse të të gjitha palëve, Klan Kosova sjellë edhe deklaratën të avokatit amerikan të Thaçit, Pierre Prosper, i cili e kishte gjunjëzuar Prokurorinë e Specializuar, pikërisht për qasjen ndaj dëshmitarëve të mbrojtjes.

Më 11 shkurt 2026, Propser dha fjalën e tij, para trupit gjykues, si një kundërpërgjigje të ashpër ndaj fjalës hyrëse të ZPS-së, që ishte dhënë paraprakisht.

Duke iu referuar diplomatëve dhe ushtarakëve nga ShBA dhe Britania, të cilët kanë përfaqësuar aleancën më të fuqishme ushtarake politike, NATO-n dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Prosper thoshte se nuk është e mundur që pikërisht këta persona të kenë qenë parashutistë.

Madje, ai thoshte se s’ka mundësi që këta diplomatë të kenë pasur njohuri fare të pakta për luftën e UÇK-së dhe ngjarjet që kanë ndodhur në ’98 dhe ’99, e në bazë të të cilave NATO më pas ka ndërhyrë për të ndalur gjenocidin serb në Kosovë.

Tutje, në fjalën e tij, Prosper edhe kishte ironizuar me ZPS-së, duke i thënë trupit gjykues se ajo që po përpiqet Zyra e Kimberly West të ju thotë juve është që “ata diplomatë kanë qenë në terren, por nuk e dinë, mos iu besoni syve tuaj, mos u besoni veshëve tuaj, na besoni neve, sepse ne Prokuroria iu tregojmë juve se çfarë ka ndodhur në atë kohë në Kosovë.

Në fund, avokati amerikan kërkonte që ata dëshmitarë nuk kanë nevojë të pëlqehen, por është obligim që të respektohet roli dhe profesioni i tyre.

Deklaratë e Prosper, 11 shkurt 2026

 “Dje komunikova me një diplomat të lartë, ambasador, i dërguar i posaçëm, i lexova disa nga citimet e së hënës nga ZPS-ja. Veçanërisht për faktin se gjyqtarët kanë dëgjuar dëshmi nga shtatë ndërkombëtarë. U përpoqën me çiltërsi të sillnin paqe në Kosovë. Por, përfshirja e tyre në këtë çështje dhe observimet e tyre të kufizuara, a janë apo nuk janë të vlefshme kjo është temë më vete.

Shtatë dëshmitarët ndërkombëtarë u sollën këtu, në situate të vështirë, sepse kishin pak njohuri me aktorët e përfshirë, gjuhën nuk e flisnin, kanë komunikuar vetëm disa herë me aktorët kryesorë, nuk kanë lexuar komunikata të UÇK-së, nuk e njihnin strukturën. Dhe vazhdon prokurorja të thotë se kishin informacione të kufizuara.

Kolegu im më tha e tmerrshme, kaq pak respektojnë profesionin tonë. Të nderuar zotërinj duhet ta shikojmë ndryshe këtë çështje, sepse këto komente tregojnë arrogancë, mungesë respekti, i cili ka qenë e pranishme në këtë gjykim qysh prej fillimi. Të rrëzosh përvojat dëshmitë e këtyre profesionistëve, të cilët kanë pasur për detyrë të shkojnë, të analizojnë situatat, të shikojnë ngjarjet në mënyrë që të ruanin sigurinë ndërkombëtare, është e pabesueshme. Është e gabuar dhe për mua është gjest dëshpërimi.

Nuk është për t’u habitur që qeveritë dyshojnë në besueshmërinë e tribunaleve ndërkombëtare, sepse kur vet profesionistët dalin para trupit gjykues, e tregojnë çfarë ka ndodhur, e deklaratat e tyre hidhen poshtë, kjo është problematike. Duhet të kemi parasysh, se këto tribunale janë mjet, instrument, i sistemit të rendit ndërkombëtar se personat që kanë qenë para jush janë pjesë e këtij sistemi, janë persona që vendosin nëse duhet të ketë tribunale e drejtësi.

Nuk mund të themi që ju ishit atje, po nuk e dini sepse ne do të interpretojmë gjërat ndryshe. Mos iu besoni syve, veshëve, dimë ne më shumë se ju. Është e rëndësishme t’i kujtojmë vetes rëndësinë e dëshmitarëve, mund të mos pëlqejnë, mund të mos respektoni dëshmitarët ndërkombëtarë, por duhet të respektoni rolin që kanë pasur, profesionet e tyre, dhe shtetet që përfaqësojnë, Amerikën, Britaninë, NATO-n”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts