Edon Zhegrova po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë te Juventusi nën drejtimin e Luciano Spallettit, por reprezentuesi i Kosovës vazhdon të jetë në pritje të një roli më të rëndësishëm në skuadrën torineze.
Albanese ka vlerësuar potencialin e madh të Zhegrovës, ka shpjeguar arsyet pse Spalletti po e aktivizon shpesh në pjesët e fundit të ndeshjeve dhe ka folur për konkurrencën në repartin ofensiv të Juventusit.
Sipas gazetarit italian, trajneri ka besim te futbollisti kosovar dhe e vlerëson shumë, por numri i madh i alternativave në atë pozitë e detyron të bëjë zgjedhje të vështira.
Zhegrova është një lojtar shumë i fortë, i cili mund ta ndryshojë i vetëm rrjedhën e një ndeshjeje. Spalletti ka besim tek ai, por gjendet përballë nevojës për të bërë zgjedhje, pasi në atë pozitë ka shumë alternativa të tjera”, ka thënë Albanese.
Ai ka rikujtuar se Juventusi gjithmonë ka besuar në potencialin e Zhegrovës, por pritshmëritë e klubit ishin që ai të kishte më shumë vazhdimësi në paraqitje. Problemet fizike bënë që skuadra italiane të priste një periudhë të gjatë për ta pasur në dispozicion.
Juventusi gjithmonë ka besuar në potencialin e Zhegrovës, por ndoshta shpresonte që ai të kishte më shumë vazhdimësi sa i përket ndeshjeve të luajtura. Në vend të kësaj, klubit iu desh ta priste për një periudhë të gjatë për shkak të problemeve të tij fizike”, ka deklaruar ai.
Sa i përket raportit me Spallettin, Albanese ka bërë të ditur se marrëdhënia mes tyre është e mirë dhe se trajneri e vlerëson futbollistin kosovar. Megjithatë, sipas tij, Zhegrova duhet të jetë më i gatshëm fizikisht për skuadrën.
“Raporti është i mirë, trajneri e vlerëson shumë. Megjithatë, ai duhet të jetë më i përgatitur në aspektin fizik”, ka theksuar gazetari italian.
“Duke pasur parasysh minutazhin e reduktuar, ndeshjet që zhvillohen çdo tri ditë dhe nevojën për të marrë gjithmonë fitore, Spalletti provon ta shfrytëzojë atë në pjesët e fundit të ndeshjeve, në mënyrë që të përfitojë nga shpërthimet e tij ndaj mbrojtjeve që janë më të lodhura”, ka shpjeguar Albanese.
Përkundër konkurrencës së madhe në repartin ofensiv, gazetari italian beson se Zhegrova ka mundësi të luajë edhe si titullar në shumë ndeshje, njësoj si Francisco Conceicao dhe Nico Gonzalez.
“Gjatë sezonit ka shumë ndeshje dhe Zhegrova mund të jetë titullar në shumë raste, ashtu si Conceicao apo Nico Gonzalez”, është shprehur ai.
Albanese ka vlerësuar gjithashtu se reprezentuesi i Kosovës tashmë ka rëndësi në projektin e Juventusit dhe se tifozët e klubit torinez e kanë pranuar shumë mirë.
“Zhegrova tashmë është një lojtar i rëndësishëm për Juventusin. Tifozët e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë”, ka thënë gazetari italian për Telegrafin.
Në fund, Albanese ka zbuluar edhe interesimin e një klubi tjetër për shërbimet e futbollistit kosovar. Bëhet fjalë për Monacon, që ka shprehur interesim në rast se Juventusi vendos ta lejojë largimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
















