Në këtë kohë demokratike që vjen si forcë dhe si doktrinë e re nga Uashingtoni politik, këta uzurpues dhe përvetësues të vlerave materiale shqiptare, dhe që janë njëherësh edhe shitës të degraduar të interesit kombëtar, nuk kanë më asnjë shpresë
Shkruan Spartak Ngjela
Në Rusi filluan revoltat e mëdha anti-Putin.
Shenjat janë se do të zmadhohen, sepse e tillë ka ardhur koha.
Gjithçka lidhet me rrëzimin e Donald Trump-it në Uashington, sepse psikologjia e intelektit të lartë rus e dinte që ish presidenti amerikan Donald Trump, kish ardhur në pushtet nga shërbimi inteligjent rus.Po presidenti Joe Biden, a do të influencojë për rrëzimin e carit të fundit rus Vladimir Putin? Analitika demokratike perëndimore mendon se Biden do të ndihmojë në këtë çështje. Dhe, me një gjykim normal politik, sigurisht që është e pranueshme se, me influencën e Joe Biden-it, Perëndimi do të ndërmarrë hapat e veta për të rrëzuar Vladimirin e Dytë tiran të Rusisë, që i takon të jetë cari i fundit i saj.
Shenjat po janë të mira.
Gjithçka po shkon drejt demokracisë dhe mendimit integral për drejtësi shoqërore.
Po Shqipëria ku ndodhet?
Shqipëria, në fakt, aktualisht është e pushtuar nga korrupsioni antihistorik kombëtar i pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve.
Por tani, në këtë kohë demokratike që vjen si forcë dhe si doktrinë e re nga Uashingtoni politik, këta uzurpues dhe përvetësues të vlerave materiale shqiptare, dhe që janë njëherësh edhe shitës të degraduar të interesit kombëtar, nuk kanë më asnjë shpresë.
Por, a do të dorëzohen?
Nuk mendoj për një akt dorëzimi të tyre, por për fillimin e procesit ligjor antikorrupsion, i cili do të drejtohet me shumë forcë nga politika e re amerikane për rivlerësimin demokratik të Ballkanit Perëndimor.