Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës bëri të ditur ndalimin e prodhimit Spec i kuq i bluar’ me origjinë nga Kosova në kufirin me Finlandën.
Pas testeve laboratorike doli se pesticidi ‘’Carbofuran’’ ishte mbi kufijtë e lejuar dhe e gjithë sasia është asgjësuar nga autoriteti kompetent në Finlandë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njoftoi se ka ndërmarrë masat përkatëse për parandalimin e rreziqeve të mundshme për shëndetin publik në vend.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), është njoftuar për ndalim të një ngarkese me produktë: ‘’Spec i kuq i bluar’’ me origjinë nga Kosova në kufirin me Finlandë. Pas kryerjes se testeve laboratorike ka rezultuar pozitiv me prezencë të pesticidit ‘’Carbofuran’’, mbi kufijtë e lejuar. E gjithë sasia është asgjësuar nga autoriteti kompetent. Rasti i njoftimit mban nr. 2026.4462.
Të dhënat e produktit:
- Emri i produktit: Spec i kuq i bluar
- Prodhuesi: Ananas Impex SH.P.K., Rr.Dibra e Madhe, Livadicë, Podujevë
- Brendi :Besiana
- Pesha neto: 200 g
- Barkodi: 3900765410212
- Data e skadimit: 08.12.2026
- Vendi eksportues: Kosovë.

Menjëherë pas njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV ka nisë veprimet për të ndërmarrë kontrolle zyrtare në terren. Me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme për shëndetin publik dhe forcimit të kontrollit zyrtar, në të gjitha Pikat e Kontrollit Kufitar është urdhëruar të zbatohen masat, preventive shtesë, të rritet kontrolli edhe ndaj lëndës së parë që përdoret për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të specit, me qëllim identifikimin e burimit të mundshëm të kontaminimit dhe parandalimin e vendosjes në treg të produkteve me përmbajtje të lartë të mykotoksinave apo pesticideve.
Inspektimet tjera do të vazhdojnë tek prodhuesi, për verifikime të të gjitha lotëve të prodhimeve në gjurmim të plotë. Për secilin rast të dyshimit do të ndërmerren veprime të menjëhershme për ruajtje të shëndetit të konsumatorëve. Konsumatorët qe e posedojnë produktit me të dhënat si ne foto, ta kthejnë menjëherë ne piken e blerjes.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes AUV-së mbeten të përkushtuara në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.






























