Një superkompjuter që është më i fuqishmi në Mbretërinë e Bashkuar është vënë plotësisht në funksion në Bristol.
Sekretari i Teknologjisë Peter Kyle “ndezi” makinën Isambard-AI ndërsa qeveria zbuloi plane të reja të Inteligjencës Artificiale (Al).
Kompjuteri do të bëhet pjesë e kapacitetit publik të informatikës së Al në Mbretërinë e Bashkuar së bashku me një makinë në Kembridge të quajtur Dawn.
Qëllimi është të përdoret superkompjuteri për projekte publike, të tilla si ulja e listave të pritjes së NHS dhe zhvillimi i mjeteve të reja për të trajtuar ndryshimet klimatike – megjithëse Al është e njohur për konsumin e energjisë.
Përveç kësaj, qeveria njoftoi se Skocia dhe Uellsi do të jenë në radhë për investime miliarda dollarëshe në të ashtuquajturat Zona të Rritjes së Al.
Bëhet e ditur se një pjesë e kompjuterit Isambard-AI po përdorej në janar për një projekt mjekësor për të zhvilluar vaksina, por tani është ndezur plotësisht.
Siç sugjeron edhe emri, një superkompjuter ka më shumë fuqi përpunimi dhe mund të kryejë më shumë detyra më shpejt sesa një kompjuter më pak i fuqishëm.
Ai përpunon të dhëna në të njëjtin format binar si kompjuterët e rregullt, por përdor mijëra njësi përpunimi për të analizuar më shumë të dhëna me shpejtësi më të lartë.
Së bashku me Dawn, superkompjuterët do të formojnë “Burimin Kërkimor të Al ” të Mbretërisë së Bashkuar dhe do të jenë të disponueshëm për projekte publike, megjithëse nuk do të kombinojnë fuqinë llogaritëse.
Ky burim, i cili në të ardhmen mund të përfshijë superkompjuterë të tjerë, do të zgjerohet 20-fish gjatë pesë viteve të ardhshme, njoftoi qeveria.
Raportohet se qeveria po përgatit dhe trajnon një milion studentë në Al, dhe 7.5 milion njerëz do të trajnohen në ekonominë e gjerë në muajt dhe vitet e ardhshme.
Ndryshe, Isambard-AI përdor më shumë se 5,400 Superçipa Nvidia GH200 Grace Hopper, me teknologji Hewlett-Packard, ndërsa Dawn përdor më shumë se 1,000 çipa Intel, së bashku me teknologjinë Dell.
Superkompjuteri u ndërtua nga Universiteti i Bristolit, por u pagua duke përdorur paranë publike.
Ai u rendit së fundmi i 11-ti në listën e 500 kompjuterëve më të fuqishëm dhe komercialisht të disponueshëm në botë.