Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se raportet e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, kanë evidentuar shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se gjatë 72-orëve të fundit janë qartësuar shqetësimet lidhur me mënyrën se si institucionet e kanë trajtuar rastin.
Sipas tij, deri më tani janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të policisë në Pejë.
“Përgjegjësia nuk mund të shmanget”, ka deklaruar Sveçla, duke theksuar se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.
Ai tha se çdo veprim apo mosveprim i zyrtarëve përgjegjës duhet të hetohet dhe se rasti do të trajtohet me seriozitet të plotë.
Sveçla bëri të ditur gjithashtu se, me urdhër të kryeministrit Albin Kurti, është përpiluar një raport i veçantë, ndërsa aktualisht janë 155 raste aktive të kategorizuara me rrezikshmëri të lartë.


















