Tensioni mes Irlandës dhe Izraelit vazhdon të shoqërojë përballjet mes dy kombëtareve. Për të dytën herë brenda vetëm një jave, lojtarët e të dyja skuadrave refuzuan të shtrëngonin duart para fillimit të ndeshjes së Ligës së Kombeve.
Pas fitores 3-0 të Irlandës ndaj Izraelit një javë më parë, skenat u përsëritën edhe në përballjen e radhës. Pas hedhjes së monedhës, kapitenët Caoimhin Kelleher dhe Dor Peretz nuk shtrënguan duart, ndërsa ceremonia para ndeshjes u zhvillua në një atmosferë të tensionuar. Edhe gjatë himnit kombëtar izraelit, lojtarët irlandezë përsëritën gjestin e tyre duke ulur kokën, në një shenjë proteste.
Para ndeshjes, UEFA kishte miratuar kërkesën e Izraelit që lojtarët të mbanin shirita të zinj në krahë në kujtim të viktimave të sulmeve të 7 tetorit. Të njëjtin element mbajtën edhe futbollistët e Irlandës, por federata irlandeze sqaroi se shiriti i zi ishte në shenjë respekti për të gjitha jetët e humbura në konfliktin në Lindjen e Mesme. Përballja mes dy skuadrave ishte paraprirë edhe nga një konferencë shtypi e tensionuar të shtunën. Trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, u përball me pyetje në lidhje me një incident të raportuar gjatë një fluturimi nga Dubai drejt Tel Avivit, ku bashkëpiloti dyshohet se sulmoi me thikë pilotin dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit.
Kështu, edhe përballja e dytë mes Irlandës dhe Izraelit brenda pak ditësh u zhvillua nën hijen e një atmosfere të pazakontë, ku edhe momentet tradicionale para nisjes së ndeshjes u kthyen në skena që tërhoqën vëmendjen.


















