Suksesi i “The Devil Wears Prada 2” nuk u ndal vetëm në kinematë botërore. Vazhdimi i shumëpritur i filmit ikonë ka nisur me rezultate të jashtëzakonshme edhe në platformat e transmetimit, duke u renditur ndër debutimet më të forta të Disney në vitet e fundit.

Gjatë pesë ditëve të para në Disney+ dhe Hulu, filmi regjistroi 15.2 milionë shikime në mbarë botën. Shifra është llogaritur duke pjesëtuar kohën totale të transmetimit me kohëzgjatjen e filmit prej 119 minutash dhe e vendos produksionin me Meryl Streep dhe Anne Hathaway si debutimin më të suksesshëm të një filmi artistik të Disney që nga “Deadpool & Wolverine” në vitin 2024.

Edhe pse Disney nuk ka publikuar numrin e saktë të shikimeve të “Deadpool & Wolverine” gjatë pesë ditëve të para, kompania ka bërë të ditur se filmi arriti 19.4 milionë shikime në gjashtë ditë. Kjo e bën diferencën reale mes dy filmave për periudhën e njëjtë më të vogël se sa duket në shifrat fillestare.

Ashtu si “Deadpool & Wolverine”, edhe “The Devil Wears Prada 2” pati fillimisht premierën në kinema përpara se të kalonte në platformat e transmetimit.

Filmi pati gjithashtu një sukses të madh komercial në ekranin e madh, duke arkëtuar 220.6 milionë dollarë në SHBA dhe 691.4 milionë dollarë në mbarë botën, me një buxhet prodhimi prej rreth 100 milionë dollarësh.

Sipas ekspertëve të industrisë, fakti që filmi vazhdon të tërheqë një audiencë të madhe edhe më shumë se dy muaj pas premierës në kinema tregon fuqinë e markës së krijuar nga filmi i parë dhe interesin e vazhdueshëm të publikut.

Në vazhdim rikthehen yjet kryesore të filmit origjinal, përfshirë Meryl Streep, Anne Hathaway, Stanley Tucci dhe Emily Blunt. Kastit i janë bashkuar edhe Justin Theroux, Lucy Liu, Kenneth Branagh, Simone Ashley dhe BJ Novak.

Regjinë e filmit e mban sërish David Frankel, ndërsa skenari është shkruar nga Aline Brosh McKenna. Historia bazohet në personazhet e krijuara nga Lauren Weisberger në romanin e saj të vitit 2003, i cili u frymëzua nga përvoja e saj si asistente e Anna Wintour në revistën Vogue.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts