Një peticion online në moton “Ti nuk më përfaqëson” për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt është hapur pas deklaratave të tij të fundit ndaj të mbijetuares së masakrës ndaj familjes Bogujevci në Podujevë, Saranda Bogujevci, e cila është edhe deputete e Vetëvendosjes.
Selmanaj u akuzua ndaj deklaratës së tij për të pagjeturit. Deri tash, peticioni është nënshkruar nga mbi 1,100 persona.
Gjatë debateve të interpelancës së kryeministrit të Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, ku diskutohej çështja “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, zëvendëskryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, u tha deputetëve se po bëjnë politikë mbi kufoma, jemi lodhur nga këto gjëra”.
Kjo deklaratë e tij u pasua me akuza të shumta edhe nga shoqëria civile, të cilët si përfaqësues të këtyre familjeve me viktima dhe të pagjetur po konsiderojnë që Selmanaj nuk e ka vendin në Qeverinë e Kosovës.
Më poshtë gjeni përshkrimin e peticionit si dhe linkun:
Kosova ende vazhdon të jetojë në terrin e të pagjeturve. Ende mbetet plagë e hapur mos vënia e drejtësisë për krimet e masakrat, për gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Andaj si qytetarë, si familjarë të personave të pagjetur, të atyre të vrarë, të grave viktima të dhunës seksuale dhe gjithë atyre që kanë parë krimet me sy dhe kanë përjetuar masakrat në lëkurën e tyre, jemi thellësisht të indinjuar nga deklaratat e zëvendëskryeministrit të Kosovës Driton Selmanajt. Ky njeri dhe ky emër nuk paraqet person fizik por përfaqëson institucionet e Republikës së Kosovës dhe si e tillë është e rrezikshme të kemi në udhëheqje një përfaqësues që i konsideron çështjen e të pagjeturve, masakrat dhe krimet e kryera në Kosovë si çështje që është konsumuar dhe ezauruar.
Prandaj, ky peticion është protesta jonë!
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të nënshkruajnë peticionin përmes së cilit kërkojmë nga kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti shkarkimin e Driton Selmanajt nga pozita e zëvendëskryeministrit. Ndërsa Driton Selmanaj e ftojmë të japë dorëheqje nga çdo pozitë zyrtare në institucionet e Republikës.
Ti nuk më përfaqëson!