Në bazë të rezultateve regjistrimit të popullsisë, Kosova e ka 1 milionë e 602 mijë e 515 banorë. Ky numër është për 150 mijë më pak se me regjistrimin e vitit 2011, 350 mijë më pak se në vitin 1991 kur regjistrimi i organizuar nga Serbia u bojkotua nga shqiptarët, dhe afërsisht sa në regjistrimin e vitit 1981. Ekspertët kanë thënë se me trendin e shtimit të viteve 70 e 80, Kosova do të duhej të kishte të paktën 3.5 milionë banorë. Në uljen e shifrave zyrtare, sipas ekspertëve, përveç faktorëve socio-ekonomikë, ka ndikuar edhe migrimi sistematik. Afro një e treta e popullsisë besohet se jeton jashtë vendit.
Gjylë Krasniqi-Elshani, që ka bërë një shekull jetë – gjysmën në Drenas e gjysmën tjetër në Prishtinë, është në mesin e 50 personave që kanë kaluar pragun e 100 vjeçit, nga afro 1 milion e 602 mijë banorë sa janë evidentuar në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë.
Gjyshja Gjylë, 103 vjeçare tregon se ka lindur dhe është rritur në kohë të vështirë, me ndryshime të mëdha, përfshirë luftëra e trazirat sociale. Pavarësisht nga rrethanat e vështira të kohës, falë një regjimi të shëndetshëm dhe një jete të thjeshtë, ajo ka arritur të ruajë optimizëm të pazakontë dhe shëndet të shkëlqyer.
Tregon se ende është aktive. Ditët i kalon duke shijuar natyrën dhe duke ruajtur lidhjet me miqtë dhe familjarët, të cilët e konsiderojnë atë shembull frymëzimi.
“Ka qenë jeta e zorshme, kam qenë e vetme… kam punuar me harrna, me gjilpërë, me kërrabëza, është dashtë m’i mbajtë. Për këto 103 vite, kam hëngër çka kanë hangër krejt familja…”, ka rrëfyer ajo.
Gjyshja Gjylë është vetëm një nga dhjetëra mijëra persona që për arsye të shumta nuk kanë arsimim elementar. Sipas statistikave të regjistrimit të popullsisë të publikuar nga Agjencia e Statistikave, thuhet se në Kosovë 1.79 për qind e popullsisë janë pa arsim formal ose nuk e kanë përfunduar nivelin e të mësuarit të shkrim-leximit. Për dallim nga regjistrimi i popullsisë që u publikua në vitin 2011, kjo shifër u ul për 3.96 për qind, meqë 13 vjet më parë, përqindja e popullsia që nuk e kanë dinë shkrim-lexim ishte 5.75 për qind.
Sipas të dhënave të ASK-së, në regjistrimin e popullsisë për vitin 2024, numri i përgjithshëm i popullsisë analfabete është 30 mijë e 902, gjë që në përqindje i bie të jetë 2.27. E në mesin e analfabetëve, 73.58 për qind janë gra.
Demografia Mimoza Dushi ka theksuar se përqindja e analfabetizmit në Kosovë është e ndikuar kryesisht nga mosha e vjetër, ku shumë individë nuk kanë pasur mundësi të ndjekin arsimimin për shkak të kushteve socio ekonomike të kohës.
Dushi thotë se në regjistrimin tjetër të popullsisë në Kosovë, pritet të shënohet ulje e dukshme e numrit të analfabetëve në vend, duke kontribuar kështu në avancimin e përgjithshëm të shoqërisë.
“Në vitin 2011 ka qenë 3.85 për qind analfabetizmi në përqindje, këtë vit 2.27. Sot kemi shkollimin e obligueshëm fillor; në raport me vendet e tjera është e habitshme që kemi ende analfabetizëm. Janë kryesisht pjesa e moshuar e popullsisë, të cilët nuk janë përfshirë në sistemet e shkollimit në kohën kur ata kanë qenë në moshë shkollimi”, ka thënë demografia Dushi.
Por, sociologu Genc Xërxa sheh tendencë pozitive tek shifrat. Sipas tij kjo reflekton rritje të ndërgjegjësimit për rëndësinë e arsimit.
“Dita ditës, institucionet arsimore depërtojnë në secilën pjesë të shoqërisë sonë, dhe vetëdijesimi apo emancipimi gjithë-shoqëror ndikon në uljen e përgjithshme të analfabetizmit. Ky është një trend i mirë, i cili tregon zbritjen e analfabetizmit dhe është për t’u përshëndetur”, ka thënë Xërxa.
Sipas të dhënave të ASK-së për vitin 2024, 360,500 qytetarë posedojnë celular mobil. 193,447 prej tyre janë nga vendet urbane, ndërsa 167,053 nga vendet rurale.
Ndërsa sociologu Jeton Brajshori e konsideron shqetësuese nivelin ende të lartë të analfabetizmit në Kosovë, duke marrë parasysh rritjen e shpejtë të teknologjisë dhe disponueshmërinë e pajisjeve moderne.
“Ndërsa sa i përket arsimimit, që nga viti 2011, kur kanë qenë 50 mijë analfabetë, këtë vit, pra në vitin 2024, janë 30 mijë, pra 20 mijë më pak. Edhe pse duket se ka më pak, prapëseprapë, në vitin 2024, në shoqërinë tonë, ku çdo vend në Kosovë ka qasje në internet, është shumë e dhimbshme dhe shumë brengosëse se si është e mundur që në këtë vit, në epokën e teknologjisë, të ketë ende 30 mijë analfabetë. Pra, institucionet duhet të jenë të kujdesshme të organizojnë kampanja sensibilizuese, të punohet më shumë, të ketë trajnime vetëdijesuese, për shkak se ende është një shifër e lartë e popullatës, e cila është 1.6 milionë banorë, dhe të kemi 30 mijë analfabetë është shumë e dhimbshme”, ka thënë ai.
Struktura e re e familjes – më pak fëmijë
Rezultatet e regjistrimit të publikuara në dhjetor të këtij viti, tregojnë se në Kosovë janë 107 mijë 710 fëmijë të moshës 0 deri në 4 vjeç, krahasuar me regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 që ishin 149 mijë 735 fëmijë të kësaj moshe.
Sociologu, Jeton Brajshori thekson se çiftet në ditët e sotme po planifikojnë me kujdes në numrin e fëmijëve që duan të ketë, duke marrë parasysh faktorët socio – ekonomikë. Kjo tendencë, thotë ai pasqyron një ndryshim në kulturën e familjes, duke bërë determinues në formimin e strukturës të një familje moderne.
“Marrë parasysh këtë, që edhe institucionet nuk kanë bërë diçka sa i përket stimulimit për ngritjen e natalitetit, është domosdoshmërisht e zakonshme që çiftet të planifikojnë të kenë më pak fëmijë”, ka thënë sociologu Brajshori.
Flamuri i Kosovës ka një sfond blu dhe ka të vendosur mbi të një hartë të Kosovës dhe gjashtë yje. Yjet zyrtarisht nënkuptojnë gjashtë grupimet kryesore etnike në Kosovë: shqiptarët, serbët, turqit, goranët, romët e (në këtë të fundit shpesh të grupuar janë ashkalinj dhe egjiptianë) dhe boshnjakët.
Sipas regjistrimit të popullsisë së ASK-së, në Kosovë jetojnë 36 mijë e 652 serbë, 26 mijë e 841 boshnjakë, 19 mijë e 419 turq, 8730 rom, 16 mijë e 207 ashkali, 10 mijë e 581 egjiptian e 9 mijë e 140 goran.
Demografia Mimoza Dushi thotë se në kohën e procesit të regjistrimit të popullsisë, rreth 30 për qind të qytetarëve nuk iu është dhënë hapësirë për të treguar përkatësinë e tyre etnike, gjë që sipas tregon mosseriozitetin e regjistruesve për të parashtruar këtë pyetje.
“Është element shumë i rëndësishëm. Ka qenë pyetje me alternativë të hapur, dhe kjo ka pasur mundësinë të përgjigjet ose jo. Kjo është struktura fetare dhe struktura etnike. Në trajtimin e kësaj pyetjeje, 30 për qind e popullsisë nuk janë pyetur për strukturën fetare dhe etnike, por vetëm janë shkruar si myslimanë ose për përkatësinë e tyre etnike, dhe kjo e ka treguar jo seriozitetin ndaj kësaj pyetjeje. Nuk e di se çfarë prapavije ka pasur, nuk mund ta them, por është në dëm të komuniteteve”, ka thënë Dushi.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave, Avni Kastrati theksoi se procesi i regjistrimit për përcaktimin e përkatësisë etnike ka shkuar pa probleme. Sipas tij, procesi ka qenë transparent, duke siguruar që çdo individ të deklarojë pa pengesë përkatësinë etnike shkruan Koha.
“Secili komunitet e ka pasur regjistruesin nga komuniteti i vet, gjë që nuk e kanë pasur në disa shtete, as Bashkimi Evropian, as në Ballkan. Romi ka shkuar te Romët, egjiptianët te egjiptianët, serbët te serbët, që po përsëris, nuk i kanë pasur të gjitha shtetet. Tani, unë nuk besoj që mund të ketë raste të tilla, sepse edhe tek ne shqiptarët, për shembull, ka pasur raste kur nuk është pyetur fare, por përkatësinë etnike dhe religjionin e ka plotësuar vetë, pa nevojë. Por ne i kemi monitoruar edhe sepse kemi pasur indikatorë paraprak për secilin person nga regjistrimi i vitit 2011, e kemi parë që ju jeni deklaruar shqiptarë. Nëse ka pasur një grup tjetër, vetë sistemi na ka treguar që diçka s’ka qenë në rregull dhe kemi intervenuar në kohë”, ka thënë u.d. i kryeshefit të ASK-së, Avni Kastrati.
Regjistrimi i plotë, në maj
Në bazë të rezultateve para të regjistrimit të popullsisë, Kosova e ka 1 milionë e 602 mijë e 515 banorë, apo afro 150 mijë më pak se me regjistrimin e vitit 2011 dhe afërsisht sa në regjistrimin e vitit 1981.
Por, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ASK-së, thotë se raporte të tjera të regjistrimit të popullsisë, pritet të publikohen në muajin janar.
“Do të publikohen 25 raporte të tjera në vitin 2025. Do të jetë raporti për kushtet e jetesës, pra nëse kanë ujësjellës, nëse kanë kuzhina, nëse kanë hapësira, sa është dendësia, domethënë për metër katror një person në Kosovë. Si janë ndërtesat, në cilin vit janë ndërtuar; për ndërtesa do të jetë një raport i veçantë. Mund të jetë Prishtina që ka banesat më të reja, një komunë mund të ketë shumë të vjetra, apo si janë shtëpitë e ndërtuara, me çfarë materiali janë të ndërtuara, a kanë izolim apo jo. Pra, do të ketë raporte të veçanta. Madje për popullsinë do të ketë raporte tematike, për demografinë do të ketë shumë. Situata gjinore, niveli i edukimit, punësimi, kushtet e jetesës, sepse janë të nevojshme për të bërë politika të mira apo për t’u ofruar dhe shërbyer qytetarëve, sepse krejt bota bazohet në statistika. Do të jenë 25 raporte, por do të ketë më shumë indikatorë të lëshuar në sistemin online”, ka thënë Kastrati.
Objekt i regjistrimit të fundit ishin popullsia, banesat shtëpitë, ekonomitë familjare. Sipas rezultateve të ASK-së, banesat kanë rritje për 41 për qind krahasuar me vitin 2011, ndërtesat për banim janë rrit prej mbi 21 për qind. Mbi 93 për qind e banesave dhe shtëpive janë me pronar, shumë pak me qira dhe forma të tjera. Ndërsa ekonomitë familjare janë rrit me 23.4 për qind.
Sipas rezultateve, moshave mesatare është rritur nga 29.97 vjet në vitin 2011 në 34.84 vjet në vitin 2024.
Në regjistrimin e 2024-tës të popullsisë, për herë të parë, është bërë edhe një vlerësim i dëmeve të shkaktuara nga lufta e fundit në Kosovë, gjatë viteve 1998-99. Sipas ASK-së, dëmet materiale të luftës janë vlerësuar me mbi 5 miliardë euro. Bazuar në të dhënat e publikuara, gjatë luftës janë vrarë 11 mijë e 417 persona, të zhdukur janë 1 mijë e 47 persona, të plagosur 6 mijë e 682 persona dhe të burgosur 3 mijë e 312 persona.
Regjistrimi i popullsisë është kryer edhe në katër komunat në veri të Kosovës, në atë të Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Por as këtë herë nuk kanë marrë pjesë shumë nga banorët në këtyre komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
ASK-ja ka vlerësuar që në këto komuna jetojnë rreth 15 mijë banorë, por vetëm 6.708 kanë marrë pjesë në regjistrimin e mbajtur këtë vit.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë është zhvilluar për herë të fundit në vitin 2011, ku u regjistruan 1 milionë e 739 mijë e 825 banorë. Shifrat e fundit u afrohen atyre të vitit 1981 kur ishin regjistruar afro 1.5 milionë banorë në Kosovë, e afro 350 mijë më pak se në vitin 1991 në regjistrimin e organizuar nga Serbia e të bojkotuar nga shqiptarët. Ekspertët kanë thënë se me trendin e shtimit të viteve 70 e 80, Kosova tash do të duhej të kishte të paktën dyfishin.
“Sipas Entit Demografik të Beogradit, Kosova në vitin 2021 duhej t’i kishte 3.5 milionë banorë”, ka thënë ekonomisti Haki Shatri për mediat, disa muaj më parë.
Në uljen e shifrave zyrtare, përveç faktorëve socialë, ka ndikuar migrimi i madh. Afro një e treta e popullsisë besohet se jeton jashtë vendit.